Ndërlidhjet

Kërkojnë punë për t'i anuluar biletat e migrimit


Jahjaga në Vushtrri dhe Ferizaj
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:00:44 0:00

Jahjaga në Vushtrri dhe Ferizaj

Duke e parë sa alarmante është bërë muajt e fundit migrimi ilegal, institucionet e Kosovës në bashkëpunim edhe me vendet e Bashkimit Evropian po paralajmërojnë shtrëngim masash.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka vizituar të premten dy prej komunave më tepër të braktisura, Vushtrrinë dhe Ferizajn.

Jahjaga e shoqëruar nga kryetari i komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku, bashkëbiseduan me qytetarët, të cilët kishin shumë shqetësime e mesazhe për presidenten.

Ajo përpiqej të krijonte një atmosferë tjetër dhe me fjalimin e saj të sensibilizojë njerëzit që ikja nuk është zgjidhje.

Shtet-formimi ka shumë vështirësi, u thoshte atyre Jahjaga, duke i rikujtuar se gjendja sot, 15 vjet pas luftës, duhet të jetë më e mirë.

“Kosova nuk ka njerëz për të humbur. Javën e ardhshme i bëjmë 7 vjet që jemi bërë shtet i pavarur. Unë jam me juve. Të gjitha këto brenga dhe shqetësime, janë edhe shqetësimet e mia. Ju nuk duhet të ikni, por duhet të qëndroni së bashku me neve, sepse më së lehti është që të ikim dhe t’ia kthejmë shpinën Kosovës. Ma vështirë është të qëndrojmë këtu, por së bashku duhet të gjejmë zgjidhje”, deklaroi Jahjaga.

Interesimi për të biseduar me presidenten dhe kryetarin e komunës ishte evident.

Ende pa përfunduar njëri, ndërhynte tjetri qytetar, duke u munduar t'i tregojnë për hallet, për papunësinë, varfërinë e humbjen e shpresës dhe në fund si zgjidhje të përmend ikjen nga Kosova.

"A po e shihni në çfarë gjendje katastrofale është komuna e Vushtrrisë? Çfarë fukarallëku ka këtu? Të rinjtë shkuan. Çka na duhet neve jeta kur të rinjtë shkuan?! Propozonin (në fushatë zgjedhore) 200 mijë vende të punës. Ku janë tash ato 200 mijë vende të punës?", shtronte pyetje dhe dilema një qytetar nga Vushtrria para presidentes.

Një hall të ngjashëm, kishte edhe një banor tjetër i kësaj komune i cili tregonte se tashmë kishte vendosur që do të marrë rrugën e migrimit.

"Jam detyruar ta lë punën dhe të marr rrugën e migrimit pas 53 vitesh. Çfarë gjendje është kjo? Ku na keni sjell. Ku është vota e jonë?", fliste ky qytetar.

Disa kundër-argumente me fjalimet e qytetarëve, kishte kryetari i Vushtrrisë, Bajram Mulaku, duke thënë se kohët e fundit, komuna ka subvencionuar bujqësinë, dhe ata që duan ta punojnë tokën, mund të ndërtojnë një jetë të mirë edhe në këtë komunë.

“E kemi një gjendje tepër brengosëse në komunën tonë, sikurse në të gjithë Kosovë, sepse kemi një fluks shumë të madh të migrimit në Perëndim dhe kjo është brengosëse. Megjithatë, ju ftoj të gjithëve që të qëndroni, sepse në rrethana shumë më të vështira kemi qëndruar në Kosovë edhe atëherë kur na kanë larguar me dhunë”, ka thënë Mulaku.

Por, ende pa përfunduar fjalën kryetari Mulaku, ndërhyn një qytetar tjetër i cili ka edhe pyetje për të, por edhe shumë halle për të treguar.

"A po më gjeni një punë, qe unë nuk po shkoj. Nesër do të nisem, por ja që nuk po shkoj. Gjemani një vend pune", i drejtohet kryetarit Mulaku, një qytetar aty afër.

Autoritetet në Kosovë, nuk kanë shifra të sakta, por flasin për mijëra persona që kanë marrë rrugën e migrimit. Si pasojë, e migrimit, mbi 5 mijë fëmijë kanë braktisur shkollat.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG