Ndërlidhjet

Hoti: Falja e borxheve, një fillim i ri


Ministri i Financave, Avdullah Hoti
Ministri i Financave, Avdullah Hoti

“Vendimi për faljen e borxheve që qytetarët dhe bizneset kanë ndaj shtetit, është marrë mbi arsyeshmërinë që në Kosovë në vitin 2008 kanë ndodhur ndryshime të mëdha strukturore, ndryshime kapitale. Ne po mendojmë që të bëjmë një prerje në atë kohë dhe të kemi një fillim të ri. Falja e borxheve do t’i ndihmojë qytetarët dhe bizneset për një fillim të mbarë”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ministri i Financave, Avdullah Hoti.

Radio Evropa e Lirë: Zoti ministër, Kosova po përballet me një situatë të vështirë ekonomike dhe sociale. Janë shtuar pakënaqësitë e qytetarëve, sindikatave të punëtorëve, të punësuarve dhe të të papunëve. Si do të arrini që ta zbusni këtë situatë të krijuar në vend, cilët janë hapat që keni filluar t’i ndërmerrni?

Avdullah Hoti: Ne e kemi marrë qeverinë në një moment shumë delikat, ka pasur afër tetë muaj që nuk kanë punuar institucionet. Puna e parë që më është dashur të bëjë si ministër i financave, ka qenë dërgimi i buxhetit për vitin 2015 në Kuvendin e Kosovës, pa pasur mundësi të bëjë asnjë ndryshim në atë buxhet.

Është hera e parë që një qeveri që nga pas lufta fillon mandatin me një program qeverisës, me një program që është punuar një kohë të gjatë dhe është harmonizuar me koalicionin qeverisës, është punuar nëpër grupe të ndryshme të ekspertëve dhe pritet të kalojë së shpejti në qeveri dhe më pas ta dërgojmë në kuvend në pjesën e parë të shkurtit.

Në bazë të saj, do të zhvillohet strategjia e përgjithshme zhvillimore e vendit, ku aty parashihen pako të ndryshme të mbështetjes për biznese, për grupe të ndryshme, për sektor të ndryshëm, që do ta ndryshojë gjendjen në të cilën jemi.

I kuptojmë pakënaqësitë e qytetarëve, por nuk ka arsye për sjellje ekstreme ashtu si kemi pasur ditëve të fundit. Ne po bëjmë maksimumin që brenda kapaciteteve ligjore dhe financiare që kemi si qeveri, të përmirësojmë ambientin për të bërë biznes,për të përmirësuar jetën e qytetarëve, për të përmirësuar perceptimin që investitorët e huaj kanë për Kosovën.

Unë e di që kemi shumë punë për të bërë. Ta ndërrojmë perceptimin për ekonominë kosovare, si një ekonomi që në të kaluarën është perceptuar si një ekonomi me nivel të lartë të korrupsionit, me burokraci të madhe, me probleme të tjera që i kanë përcjellë institucionet. Atë që mund të them, ne i kemi të qartë hapat që i kemi ndërmarrë dhe pres që në bashkëpunim me të gjitha institucionet të krijojmë një ambient më të mirë.

Radio Evropa e Lirë: Qeveria e Kosovës së fundi ka krijuar komisionin i cili do të shqyrtojë mundësinë për faljen e borxheve për personat fizik dhe juridik. Çfarë përmban ky vendim?

Avdullah Hoti: Kemi themeluar një komision ndërministror, i cili do të verifikojë borxhet dhe do të propozojë para qeverisë formën ligjore se si të procedohet më tutje. Ky vendim është marrë mbi arsyeshmërinë që në Kosovë në vitin 2008 kanë ndodhur ndryshime të mëdha strukturore në shoqëri, është shpallur pavarësia, është aprovuar Kushtetuta e re, janë larguar ligjet e UNMIK-ut, kemi filluar me ligje të shtetit të ri. Pra, është një ndryshim kapital që ka ndodhur në shtetin e Kosovës, dhe ne po mendojmë që të bëmë një prerje në atë kohë dhe të kemi një fillim të ri.

Radio Evropa e Lirë: Sa është vlera e këtyre borxheve?

Avdullah Hoti: Është herët të përgjigjem në këtë, tani po i mbledhim shifrat. Ky Komision do të shqyrtojë dhe do të sjellë në qeveri propozimin për faljen e të gjitha borxheve të bizneseve dhe qytetarëve, që kanë ndaj shtetit dhe këtu përfshihen borxhet ndaj Doganave, ndaj Administratës Tatimore të Kosovës, tatimi në pronë dhe të gjithë borxhet ndaj ndërmarrjeve publike, që aksionar është shteti, siç janë borxhet ndaj ujësjellësit, energjisë elektrike dhe mbeturinat.

Radio Evropa e Lirë: Kosova nuk ka arritur asnjëherë të krijojë një strategji të mirëfilltë të zhvillimit ekonomik. Cila është strategjia e zhvillimit ekonomik të kësaj qeverie?

Avdullah Hoti: Në qeveritë e kaluara ka pasur disa koncept-dokumente për të përgatitur strategji, por që asnjëherë nuk është shkuar përpara. Kanë qenë disa strategji sektoriale, por nuk ka pasur një dokument gjithëpërfshirës që i ka integruar së bashku të gjithë sektorët dhe i ka përcaktuar vizionin afatgjatë të zhvillimit.

Në programin qeverisës, pasi që në bazë të këtij programi do ta punojmë strategjinë zhvillimore, do të parashohim masat konkrete, afatet kohore dhe kostot për zbatimin e programit qeverisës, ku ne kemi përcaktuar objektivat zhvillimore edhe masat që do t’i marrim për ato objektiva.

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë ato objektiva?

Avdullah Hoti: Ne jemi qeveri e qendrës së djathtë dhe kjo nënkupton që fokusi ynë do të jetë në mbështetjen e sektorit privat dhe punësimit në këtë sektor. Ne kemi një sektorë publik që është i mbingarkuar me punësim, e vetmja mundësi për të rrit punësimin është duke e promovuar sektorin privat. Mbi gjysma e programit qeverisës, i dedikohet fushës së ekonomisë, ku hynë bujqësia, ambienti, infrastruktura, politikat fiskale, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Radio Evropa e Lirë: Janë politikat e pafavorshme fiskale që sipas përfaqësuesve të biznesit po e dëmtojnë prodhimtarinë në Kosovë, cila do të jetë pakoja e re fiskale apo cilat do të jenë lehtësirat për bizneset që ju do t’i aprovoni dhe kur?

Avdullah Hoti: Politikat fiskale në aspektin ligjor nuk është se janë më keq sesa në vendet tjera. Sa i përket tatimit në fitim, normës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, janë të krahasueshme me vendet tjera, por problemi qëndron se këto nuk janë zbatuar ose janë zbatuar në mënyrë selektive. Kjo ka bërë që sot të kemi 35 për qind apo 40 për qind sektorë jo formal që ka krijuar pabarazi në mes të bizneseve, dhe ka bërë që bizneset që janë formale, që janë të rregullt të mos mbijetojnë.

Atë që do të bëjmë ne është krijimi i barazisë në treg, ta luftojmë sektorin joformal dhe të fusim sa më shumë biznese në sektorin formal, kjo është pakoja jonë fiskale.

Për investitorët e jashtëm, për të cilët kemi shumë nevojë, aty do të zhvillojmë një pako të veçantë fiskale, lehtësira tatimore për investitorët që investojnë X milion euro apo X milion euro vende të reja të punës.

Radio Evropa e Lirë: Do të ketë pushime tatimore për investitorët që do të vijnë në Kosovë?

Avdullah Hoti: Unë i kam futur në agjendën legjislative të qeverisë. Në gjashtë mujorin e parë, duhet të përmbyllet ligji i TVSH-së, ndryshimet në ligjin e TVSH-së, ku preket pragu i TVSH-së dhe përshkallëzimi i saj, ligji për fitimin në koorporatat, besoj që do të kalojnë në qeveri në gjashtë mujorin e parë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG