Ndërlidhjet

Mustafa pret dorëheqjen e Jabllanoviqit


Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka paralajmëruar mundësinë e dorëheqjes apo largimit të ministrit për Komunitete dhe Kthim, Aleksandar Jabllanoviq.

Deklaratat e Mustafës, të bëra të hënën në Rahovec,vijnë pas trysnive të shtuara nga opozita dhe organizatat e ndryshme, të cilat që nga 6 janari kërkojnë shkarkimin e Jabllanoviqit.

Jabllanoviq i kishte quajtur më 6 janar "egërsira" protestuesit në Gjakovë, të cilët po përpiqeshin të pengonin disa pelegrinë serbë që të vizitojnë Gjakovën me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse.

Ai kishte kërkuar falje publike për këtë deklaratë, por ajo nuk kishte mjaftuar, pasi që qytetarët e Kosovës, ishin vërshuar nga protestat ku kërkesa kryesore ishte largimi i Jabllanoviqit nga qeveria aktuale.

Kryeministri Mustafa, ndonëse e ka cilësuar si të politizuar tej mase nga ana e opozitës deklaratën e ministrit Jabllanoviq, ka paralajmëruar edhe mundësinë e largimit të Jabllanoviqit.

Largimi i tij, ka mbetur të definohet nëse do të realizohet përmes dorëheqjes apo negociatave për këtë rast me Listën Serbe, subjekt të cilit i përket Jabllanoviqi.

“Situata e krijuar, politizimi tej mase i problemit të ministrit Jabllanoviq, krijon kushte që ministri më tutje është vështirë ta ushtroj pozitën e tij prej ministri, për arsye se zgjatja e kësaj situate do të shprehet negativisht edhe sa i përket integrimit të popullatës serbe edhe sa i përket marrëdhënieve tona të përgjithshme që duhet t'i kemi me të gjitha komunitetet".

"Prandaj, mendoj se ndryshimet duhet të bëhen. Këto ndryshime ne duhet t'i bëjmë edhe në marrëveshje me Listën Serbe dhe komunitetin serb", ka deklaruar Mustafa.

Ndërkohë, me kërkesën e partive politike opozitare, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa është thirrur në interpelancë para Kuvendit të Kosovës, ditën e enjte, për të raportuar për rastin e ministrit, Jabllanoviq.

Opozita, insiston që ministri Jabllanoviq të shkarkohet nga posti, pavarësisht kërkimfaljes së tij publike.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka thënë se kryeministri Isa Mustafa është "bërë një kryeministër social, me aktivizimin e tij vetëm në 'Facebook', kështu që atij do t'i kërkohet të ballafaqohet edhe me Kuvendin në lidhje me ministrin në kabinetin e tij" që, sipas Ymerit, ka fyer qytetarët.

"Kërkesa e parë e protestës; në fakt kërkojmë nga kryeministri që ai me të vërtetë të bëhet kryeministri i vendit dhe t'a sovranizojë postin e kryeministrit, duke e pasur mundësinë, vullnetin dhe guximin që ta shkarkojë një prej ministrave të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Mirëpo deri më tani Isa Mustafa e ka dëshmuar që ai nuk e ka ndërmend të sillet si kryeministër sovran", ka thënë Ymeri.

Pas protestave të fundit më 27 janar që eskaluan me dhunë, debati në Kuvend për rastin Jabllanoviq është mirëpritur edhe nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. Ai ka thënë se problemet duhet të zgjidhen në institucione dhe jo në rrugë.

"Kryesorja është që të rikthehet debati në institucione. Ne do ta kemi të enjten mbledhjen e Kuvendit, ku edhe do të debatohet, bisedohet dhe të njëjtën kohë besoj se do të ketë edhe reflektim dhe të mos futemi në ultimatume e presione të cilat faktikisht na drejtojnë në një drejtim që nuk është në të mirën e Kosovës", ka deklaruar Veseli.

Ndërkohë, edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri i konsideron fyese deklaratat e ministrit serb Jabllanoviq, por zgjidhjen e sheh vetëm në Kuvend, e jo me protesta të dhunshme.

Sipas Beqirit, në Kosovë ka shumë probleme për të cilat qytetarët edhe mund të protestojnë, por kjo sipas tij, nuk e justifikon dhunën.

“Mendoj se në Kosovë ka 1001 arsye për të protestuar, por asnjë arsye të vetme nuk ka që të përdoret dhuna dhe të ketë lëndime. Edhe unë bëj pjesë në grupin e atyre që e konsideron shumë të pamatur, të paqëndrueshëm dhe të pa drejtë pse jo edhe fyese deklaratën e Jabllanoviqit. Por zgjidhjen për këtë e shoh vetëm në Kuvend”, ka deklaruar Beqiri.

Interpelanca e kryeministrit Mustafa është thirrur nga opozita një ditë pas protestës që është paralajmëruar për të mërkurën, në të cilën kërkesë kryesore mbetet shkarkimi i Jabllanoviqit.

Pjesëmarrjen në protestën e ftuar nga Vetëvendosje më 4 shkurt, e kanë konfirmuar edhe dy partitë tjera opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partia Nisma.

Më 24 dhe sidomos më 27 janar, në protestat që u mbajtën në Prishtinë, situata eskaloi në përleshje ndërmjet protestuesve dhe policisë, që si pasojë solli dhjetëra të lënduar si nga protestuesit ashtu edhe policia e Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG