Ndërlidhjet

Narkotrafiku, akuza dhe kundërakuza në politikën shqiptare


Ilustrim
Ilustrim

Rrëzimi i një helikopteri me drogë në Spanjë, i drejtuar nga një major i ushtrisë shqiptare, si dhe zbulimi i një laboratori droge në Elbasan, kanë qenë dy ngjarje të cilat kanë dominuarjetën politike e sociale në Shqipëri.

Helikopteri me drogë, i drejtuar nga majori shqiptar i Forcave te Armatosura, Sokol Feka, sipas mediave spanjolle u rrëzua natën e 26 janarit.

Në përpjekje për të mos u dalluar nga forcat spanjolle, Sokol Feka ka fluturuar shumë pranë tokës dhe është përplasur me shtyllat e tensionit të lartë.

Të dhënat e policisë raportuan se në helikopter gjendej rreth një ton hashash. Policia po heton ende për të zbuluar prejardhjen e drogës, por dyshohet se ajo vjen nga Maroku.

Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, përmes një deklarate për shtyp, e ka quajtur “të pakëndëshme” përfshirjen e majorit Feka në këtë ngjarje dhe tha se ai ka qenë me leje.

Por, sipas rregullores së ushtrisë, çdo zyrtar ushtarak duhet të njoftojë se ku ndodhet edhe gjatë periudhës së pushimeve. Rezulton se majori Sokol Feka, ka ikur pa njoftuar autoritet për vendodhjen e tij.

Një tjetër ngjarje ishte dhe zbulimi i një laboratori të përpunimit të drogave në Xibrakë të Elbasanit. Në operacionin që u koordinua mes policisë shqiptare dhe asaj gjermane, u arrestuan 11 persona, 9 shqiptarë dhe 2 kolumbianë. Ka qenë prokuroria gjermane e cila ka rënë në gjurmë të rrjetit e që më pas ka kërkuar bashkëpunimin e autoriteteve shqiptare.

Në laboratorin e Xibrakës, policia sekuestroi rreth 19 kg kokainë të pastër dhe rreth 100 kg lëndë kimike që dyshohet se është e përzier me lëndë narkotike të llojit kokainë.

Gjykata e Krimeve te Rënda në Tiranë, dha masën arrest me burg për 9 të arrestuarit shqiptarë, nën akuzën e ngritur nga prokuroria për trafik të organizuar ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Mes të arrestuarëve është edhe nipi i ish diktatorit Enver Hoxha.

Ermal Hoxha, nëpërmjet avokatit të tij mbrojtës, e ka hedhur poshtë akuzën, duke pretenduar se nuk ka asnjë provë konkrete për arrestimin e tij.

Ndërkohë për të dyja ngjarjet, politika ka shkëmbyer akuza të ndërsjellta, ndërsa çështjet po hetohen, e para përpara drejtësisë spanjolle, ndërsa dosja “Xibraku” po hetohet në Shqipëri dhe në Gjermani.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG