Ministria e Punëve të Brendshme sot ka njoftuar se ka ngritur kallëzime penale kundër katër personave në mesin e të cilëve është dhe lideri i partisë maqedonase në opozitë LSDM, Zoran Zaev, për veprat penale spiunazh, dhunim të funksionarëve shtetërorë dhe tentim për marrjen e pushtetit të zgjedhur në mënyrë demokratike.
Sipas dëshmive të grumbulluara në kuadër të aksionit "Puçi", siç ka njoftuar zëdhënësi i policisë maqedonase, ish drejtori i Drejtorisë për Zbulim dhe Kundërzbulim, Zoran Verushevski, gruaja e tij Sonja Verushevski, funksionari në Komunën e Strumicës Branko Palifrov dhe lideri i LSDM-së Zoran Zaev, dyshohet se kanë tentuar të organizojnë një puç ndaj pushteit përmes përdorimit të mjeteve kundërligjore të përgjimit dhe spiunimit, të ndihmuar nga shërbime të huaja të intelegjencës.
“Në takimet dhe komunikimet me kryetarin e Qeverisë, Zaev ka lëshuar kërcënime serioze duke thënë se posedon prova me karakter komprometues për funksionarë shtetërorë. Kërcënimet i ka konkretizuar duke kërkuar nga VMRO-DPMNE që të pranojë formimin e qeverisë teknike dhe të shpallë zgjedhjet e parakohshme. Si këmbim, Zaev ka premtuar se nuk do të publikojë provat që posedon”, ka kumtuar për mediat, zëdhënësi i ministrisë së Punëve të Brendshme Ivo Kotevski.
Edhe kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski, ka deklaruar se lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev e ka kërcënuar këtë të fundit me prova kundër tij, nëse nuk pranon formimin e një qeverie teknike.
“Nëse nuk pranojmë formimin e qeverisë teknike, u kërcënuam se do të bëhen publike informacionet nga përgjimet, që disponon lideri i opozitës Zoran Zaev, të cilat informacione i ka mbledhur nga përgjimet përmes ndihmës së shërbimeve të huaja të intelegjencës në mënyrë kundërligjore“, ka deklaruar kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski.
Ai ka shtuar se Zaevi e ka njoftuar se në bashkëpunim me disa shërbime sekrete të huaja, ka siguruar incizime telefonike të krerëve të shtetit duke filluar nga parlamenti, presidenca dhe kryeministria.
“E shihja dhe e dëgjoja shefin e opozitës se si qëndron ulur përballë meje dhe flet me krenari se si ka bashkëpunuar me shërbimet e huaja, nga të cilat është furnizuar me materiale që janë siguruar në mënyrë ilegale dhe që një pjesë është montuar".
"Nuk mund të besoja se njeriu i cili pretendon të drejtojë shtetin, bashkëpunon me shërbimet e huaja. Ai më tha madje se ka pasur edhe një seri takimesh me ta. Për të gjitha këto ekzistojnë prova "të forta”", është shprehur kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski, duke u zotuar se të gjitha këto dëshmi do t'i prezantoj në sencën gjyqësore e cila siç ka theksuar do të jetë e hapur për opinionin vendas dhe atë ndërkombëtarë.
Por, lideri socialdemokrat Zoran Zaev, i cili ka mbledhur në një mbledhje urgjente kreun e partisë, është shprehur se aksioni policor dhe akuza ndaj tij paraqesin tentim të pushtetit për të penguar zbardhjen e kriminalitetit nga ana e qeverisë aktuale në krye me kryeministrin Gruevski.
Zaev tha se ky aksion i policisë nuk mund të interpretohet ndryshe përveç si tentim i pushtetit për të penguar shpërthimin e bombës dhe mos publikimin e më shumë aferave koruptive të zyrtarëve të lartë të vendit.
“Edhe nëse Zaevin dhe gjysmën e Maqedonisë e arrestojnë dhe akuzojnë, të vërtetën do ta mësojnë të gjithë dhe askush nuk mund t'a ndaloj këtë proces”, ka deklaruar lideri i opozitës maqedonase, duke i bërë thirrje faktorit ndërkombëtarë të kyçet në këtë proces, ngase siç ka theksuar ai, organet policore dhe i tërë sistemi gjyqësor në Maqedoni janë nën direktivën e politikës.
Ndryshe, lideri i opoziës maqedonase Zoran Zaev, para tre muajsh ka deklaruar se disponon dëshmi të forta për involvimin e funksionarëve të lartë në afera të mëdha korrupive, të cilat madje kërcënojnë edhe raportet ndëretnike në vend.
Ai për këtë pati njoftuar se e ka infomuar dhe komunitetin ndërkombëtarë në vend.