Kosova nuk ka arritur ende t'i tejkalojë problemet rreth përfaqësimit të saj në nisma rajonale dhe organizata ndërkombëtare. Mungesa e rrumbullakësimit të subjektivitetit ndërkombëtar, shihet si problemi kryesor, që vjen si pasojë e mosnjohjes së shtetit të Kosovës nga Serbia, pastaj mosnjohjes nga pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian apo edhe nga dy shtete anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit.
Mirëpo që të mos pengohet përfaqësimi i Kosovës në tryeza, nisma apo edhe organizata të ndryshme, kryesisht përdoret formula Gymnich, që nënkupton praninë e pjesëmarrësve pa atribute shtetërore.
Nga mesi i muajit mars, në Prishtinë pritet që të mbahet takimi i ministrave të jashtëm të Ballkanit Perëndimor.
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili ka folur edhe në rolin e kryesuesit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, OSBE, ka thënë se takimi në Prishtinë do të mbahet sikurse edhe në Beograd, ku Kosova nuk do të mund të paraqitet me simbolet që përfaqësojnë statusin e një shteti të pavarur.
"Procesi i bashkëpunimit rajonal ka përparuar shumë dhe ky është shembull i mirë që problemet të zgjidhen me marrëveshje, mirëkuptim dhe në mënyrë paqësore", ka thënë Daçiq.
Sipas tij, Serbia nuk pajtohet që Kosova të përfaqësohet me simbole shtetërore, por nuk do të pengojë praninë e përfaqësuesve të Kosovës, pasi që bashkëpunimi është rruga më e mirë për rajonin.
"Takimi në Prishtinë do të mbahet pa simbole shtetërore", ka thënë Daçiq.
Qasja e politikës serbe ndaj Kosovës mbetet e ndërlidhur me mos pranimin e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë.
Rajoni i Ballkanit dhe sidomos shtetet e dala nga procesi i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, vazhdojnë të ballafaqohen me probleme të marrëdhënieve etnike.
Por, njëkohësisht, janë komunitetet etnike të shpërndara nëpër këto vende ato që megjithatë edhe i detyrojnë vendet e Ballkanit që të bashkëpunojnë sado pak mes vete, duke i lënë anash mospajtimet e thella politike.
Instituti i Kosovës për Studime Politike - KIPRED, në një raport të publikuar të premten konstaton se "shpërbërja e dhunshme e ish-Jugosllavisë ka lënë trashëgimi mosbesimi dhe armiqësi të thella midis etnive shumicë dhe pakicë në shtetet e reja që u shfaqën nga ajo".
"Në Kosovë, komuniteti serb kërkon autonomi më të fuqishme territoriale, shqiptarët në Maqedoni janë të pakënaqur me pozitën e tyre, situata është pak a shumë e njëjtë me minoritetin etnik serb në Mal të Zi". '
"Përderisa në Serbi, edhe boshnjakët në Sanxhak, edhe shqiptarët në Luginën e Preshevës janë duke kërkuar autonomi territoriale dhe janë të prirur ndaj separatizmit dhe njësimit me Bosnje e Hercegovinën, përkatësisht Kosovën", ka thënë Lulëzim Peci, drejtor i institutit KIPRED.
Qeveria e Kosovës, sipas raportit të institutit KIPRED, duhet t’ia kushtojë vëmendjen e duhur situatës së marrëdhënieve ndëretnike në vendet fqinje, kurse Bashkimi Evropian, OSBE-ja dhe Këshilli i Evropës ta fuqizojnë qasjen rajonale ndaj marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërshtetërore.