Transplantimet e organeve nuk mund të bëhen në Kosovë për shkak të mungesës së ligjit. Pacientët që kanë nevojë për transplantime, duhet të udhëtojnë jashtë vendit për ta kryer këtë shërbim.
Por, problemi që po i përcjellë këta qytetarë, pas kthimit të tyre në Kosovë, është mungesa e barnave të domosdoshme.
Rreth 120 pacientë kosovarë që janë në tretman të vazhdueshëm me ilaçin ‘’Cellcept’’, i cili përdoret pas transplantimit të veshkës, hasin në mungesë të këtij medikamenti në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht në Klinikën e Nefrologjisë, për rreth 6 muaj.
Drejtori i kësaj klinike, Ibrahim Rrudhani, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se në rast se ky ilaç nuk përdoret rregullisht, pacientët mund të shkojnë në dializë, apo ta humbin veshkën e transplantuar.
"Më shumë se 6 muaj mungon ilaçi ‘’Cellcept’’. Është ilaç i pashmangshëm për pacientët që kanë transplantuar veshkat. Në rast se nuk përdoret ky ilaç, organi hidhet, pra veshka. Deri tash pacientët janë gjetur në forma të ndryshme, pasi që në Kosovë nuk është ilaçi në shitje".
Në Ministrinë e Shëndetësisë, tenderi për ta siguruar këtë medikament ka përfunduar, por për shkak të procedurave administrative, furnizimi është vonuar.
Zoti Rrudhani ka shpjeguar vonesën e ilaçit të domosdoshëm për pacientët që kanë bërë transplant të veshkës.
"Lufta ka qenë mes Klinikës së Nefrologjisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë, pasi që e kanë sjellë një bar nga India dhe ne nuk e kemi pranuar, për shkak të presionit të pacientëve të transplantuar. Unë kam kërkuar bar kualitativ, ato ilaçe që i kanë shkruar mjekët në vendet ku pacientët kanë bërë transplante të veshkave".
Ndërkaq, zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë kanë deklaruar se vonesat në furnizim me këtë ilaç esencial, janë bërë për shkak se është dashur të ndërrohet furnizuesi, pas refuzimit të ilaçit nga ana e drejtorit të Nefrologjisë.
Izet Sadiku, këshilltar i ministrit të shëndetësisë, thekson se ka pasur probleme në kontraktim.
"Ka qenë një problem i kontratës dhe gjatë ditës do të nënshkruhet kontrata me furnizuesin, në repartin e Nefrologjisë do të shkojë ilaçi. Vitin e kaluar është refuzuar preparati, pasi që është dyshuar si jo i mirë, ilaçi ka ardhur nga India, dhe ilaçin që nefrologët kanë kërkuar, do ta kenë së shpejti".
Sidoqoftë, sipas zotit Rrudhani, një pacient për një muaj shpenzon rreth 200 euro për këtë bar, por që problem sipas tij janë vështirësitë në sigurimin e ilaçit, pasi që në Kosovë nuk shitet një lloj i tillë.