Ndërlidhjet

Romancë dhe idealizëm: Pse gratë perëndimore i bashkohen Shtetit Islamik?


Ilustrim
Ilustrim

Gratë nga Perëndimi janë duke iu bashkuar Shtetit Islamik [IS] në Siri dhe Irak për disa arsye, përfshirë këtu edhe idealizmin fetar, besimin se myslimanët po shtypen në mënyrë sistematike dhe dëshirën për romancë dhe miqësi. Të dhënat janë publikuar nga Instituti për Dialog Strategjik, me seli në Britaninë e Madhe.

Raporti, që mban titullin “Të qenit Mulan? Femrat nga Perëndimi Migrojnë në Shtetin Islamik”, ka analizuar postimet në rrjetet sociale nga një numër grash nga Evropa dhe Amerika Veriore, të rekrutuara tashmë në IS.

Gjashtë nga gratë, postimet e të cilave janë analizuar, vijnë nga Britania, dy të tjera nga Holanda, një nga Franca, një nga Kanadaja dhe e fundit besohet të jetë nga Austria.

Këto gra duket se kanë qenë të motivuara nga bindja se myslimanët në mbarë botën po shtypen dhe se ekziston një luftë më e madhe kundër Islamit nga ana e “të pafeve”.

Utopia Islamike

Përtej mbështetjes së konceptit se krijimi i “kalifatit” nga Shteti Islamik është detyrë e secilit mysliman, gratë perëndimore të cilat rekrutohen nga IS-i gjithashtu kanë shprehur dëshirën për të kontribuuar në idenë, apo idealin, e një “kalifati” të këtillë.

Një prej tyre, Umm Ubaydah, ka shkruar se “ne nuk mbështesim dhunën për shkak të së keqes që Amerika ka bërë. Ne po përpiqemi të ndërtojmë një shtet islamik që jeton dhe u bindet ligjeve të Allahut”.

Një çështje tjetër e shprehur nga vetë gratë perëndimore që i janë bashkuar IS-it në Siri dhe Irak është edhe koncepti i martesës me një “muxhahid”, apo “luftëtar xhihadist”.

Raporti vë në dukje se “imazhi i një luani me luaneshën " është shumë popullor në mesin e mbështetësve femra të IS-it.

Raporter në media gjithashtu kanë dëshmuar se përtej idealit romantik të “kalifatit”, një tjetër faktor shtytës që këto gra të braktisin familjet e tyre për t’iu bashkuar IS-it është edhe ideja e një romance të pjekur dhe sofistikuar. Në një rast të ngjashëm, një adoleshente holandeze, kishte ikur për në Siri, për t’u martuar me militantin që mbante emrin Yilmaz, një turko-holandez, i cili dikur kishte shërbyer në ushtrinë holandeze.

Një “grua shtëpie” e zakonshme?


Kur arrijnë në territore të kontrolluara nga IS-i, të rekrutuarat nga Perëndimi fillimisht çojnë një jetë të zakonshme, me detyra shtëpie të zakonshme.

Njëra prej tyre, Umm Layth, shkruan se një ditë e rëndomtë për këto gra është e njejtë me atë të “një gruaje shtëpie kudo”.

Megjithatë, sipas Umm Layth, edhe detyrat më të zakonshme të mirëmbajtjes së shtëpisë, “janë të mbushura me ndjenjën e gëzimit, sepse po i bëjnë ato ‘në emër të Allahut’”.

Instituti për Dialog Strategjik, në raport, thekson se janë disa rrugë që mund të shfrytëzohen për të kundështuar fushatën e IS-it për rekrutim të grave, duke pasur në mendje projekte që shënjestërojnë posaçërisht publikun femëror në rrjetet sociale.

Në këto rekomandime, nënvizohet edhe rëndësia e përfshirjes së familjeve të këtyre femrave, për të ndihmuar në parandalimin e rekurtimit të tyre nga Shteti Islamik. (a.v.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG