Ndërlidhjet

Rezervat shtetërore të grurit, për 20 ditë


Që nga fundi i vitit 2012, Kosova ka rezervat shtetërore, sidomos produkte ushqimore, me një vlerë buxhetore vjetore deri në 450 mijë euro, bëjnë të ditur zyrtarë qeveritar.

Rezervat Shtetërore të Mallrave shfrytëzohen për nevoja të furnizimit në raste të luftës, apo rrezikut të drejtëpërdrejtë nga lufta, fatkeqësive natyrore të përmasave të mëdha, katastrofave tekniko - teknologjike dhe ekologjike, si dhe dhënies së ndihmave emergjente shteteve tjera të goditura nga fatkeqësitë e cekura më sipër.

Shaban Halimi, drejtor i Departamentit të Rezervave Shtetërore të Mallrave, që funksionon në kuadër të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, tregon produktet esenciale që tashmë janë grumbulluar si rezerva shtetërore.

“Rezervat shtetërore përbehen nga disa elemente ose produkte, të cilat kemi konsideruar se janë të rëndësishme për momentin fillestar, që të krijohen këto rezerva. Jemi të përqëndruar në grurë, miell, oriz, sheqer, konserva mishi, konserva peshku, vaj, makarona, marmelatë, kripë... Kurse, nga produktet jo ushqimore, kemi derivate të naftës, atë në një sasi të konsiderueshme për ndonjë nevojë emergjente sipas ligjit”, tha Halimi për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe ekspertë për çështje ekonomike, konsiderojnë se Qeveria e Kosovës nuk ka rezerva të mjaftueshme, pasi sipas tyre, buxheti i ndarë për këtë çështje është i pamjaftueshëm në krahasim me nevojat, që në raste emergjente duhet t'i përdor populli i Kosovës.

Agim Shahini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit, për Radion Evropa e Lirë, thotë se në krahasim më vendet e rajonit, kur rezervat shtetërore sigurohen për katër vite, në Kosovë as një produkt i rezervuar nuk garanton gjithë popullatën për një ditë.

Ai madje shpreh dyshimin në kontrollimin dhe monitorimin e cilësisë së produkteve ushqimore.

“Është tepër shqetësuese, sepse ne mund të kemi katastrofa natyrore, katastrofa të ndryshme, pastaj ne gjithmonë varemi nga importi dhe ne mund të mos kemi një produkt në momente të caktuara".

"Prandaj kjo është shumë e nevojshme dhe obligim për shtetin, që të ketë rezerva shtetërore për qytetarin dhe funksionalizimin në raste të ndryshme”, shprehet Shahini.

Por, Shaban Halimi, nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, thotë se në bazë të planit strategjik për rezervat shtetërore, kriter për përcaktimin e sasisë merret numri i popullatës dhe lloji i produktit, ku shtetet i ndajnë sipas prioriteteve të tyre dhe fuqisë ekonomike.

Duke pasur parasysh këto praktika dhe mundësitë e Kosovës, Halimi thotë se është planifikuar që sigurimi i grurit të bëhet për 20 ditë, për gjithë popullatën.

Ndërsa, kriteret për sasitë e produkteve tjera agro – ushqimore dhe jo ushqimore, janë numri i banorëve që mund të përfshihen në një rast katastrofe natyrore dhe numri i ditëve për furnizimin e tyre me produktet e nevojshme.

Të gjitha rezervat janë të vendosura tek operatorët privat ekonomik, thotë ai , por që sipas planit strategjik dhe programit vjetor, vendndodhja e rezervave shtetërore të mallrave konsiderohet sekret shtetëror.

"Kjo është bërë sipas ligjeve që janë në fuqi dhe këto janë të vendosura tek operatorët privat, operatorët ekonomik që plotësojnë kushtet për deponim dhe të përzgjedhur sipas procedurave të Prokurimit Publik dhe janë mjaft të sigurta”, tha Halimi.

Përveç produkteve ushqimore, sipas ligjeve në fuqi, Kosova duhet të ketë edhe rezervat emergjente të derivateve të naftës.

Të gjitha deponitë dhe pikat shitëse të naftës dhe derivateve të naftës, janë të obliguara që të mbajnë në çdo kohë në stoqe, së paku pesë për qind të kapaciteteve të tyre deponuese, për qëllime të rezervave emergjente ose çrregullimeve në treg.

Ndryshe, sipas ligjeve në fuqi, Qeveria e Kosovës, përmes ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, së paku një herë në vit i raporton Kuvendit të Kosovës për gjendjen dhe administrimin me rezerva shtetërore të mallrave.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG