Ndërlidhjet

Kanadezi që luftonte IS-in, kthehet në shtëpi


Ilustrim
Ilustrim

Një veteran kanadez që kishte udhëtuar për në Irak, që t’i bashkohej forcave kurde në luftën kundër grupit të Shtetit Islamik, është kthyer në shtëpi, kanë deklaruar prindërit e tij.

Dillon Hillier ,26 vjeçar, ka punuar si saldues në Alberta dhe është një nga ish pjestarët e forcave që thuhet se i janë bashkuar kurdëve për të luftuar militantët e Shtetit Islamik.

Hillier, që kishte luftuar në Afganistan, u largua nga shtëpia në nëntor dhe iu bashkua forcave militare “Peshmerga”, duke deklaruar se “ka qenë gjëja më e mirë për të bërë, pasi që kurdët po përjetojnë kohë të vështira”.

Më 27 janar, prindërit e tij, Jane dhe Randy Hillier, kanë publikuar një deklaratë në rrjetin social facebook, dukë thënë se ai është kthyer në Kanada.

"Jane dhe unë duam t’i shprehim mirënjohjet tona për të gjithë ata që na kanë kontaktuar, duke na ofruar ndihmë dhe përkrahje për birin tonë Dillon, përderisa ai ishte involvuar në “Peshmerga” të kurdëve kundër Shtetit Islamik. Jemi krenar dhe të çliruar pasi që Dillon është kthyer shëndosh në shtëpi, nga lindja e mesme”, është thënë në deklaratë.

Në dhjetor, Hillier është parë në një video të postuar në faqen zyrtare në facebook, të Forcës Veriore Amerikane për Çlirim (NAEF)-- grup mbështetës i veteranëve kanadez që duan t’i bashkohen forcave kurde.

Në video shihet një person i identifikuar si Hillier, që ndihmon një ushtar të plagosur. Në tekstin që shoqëron videon, Hillier ka thënë se “ për këto 20 orë, kam bërë më shumë të mira se sa për 26 vitet e jetës sime”.

Edhe pse Hillier është kthyer nga Iraku, “NAEF” po vazhdon të përkrahë kanadezët që duan t’i bashkohen forcave kurde, në luftën kundër IS-it.

Më 22 janar, ky grup deklaroi përmes rrjetit facebook, që ka dërguar një përfaqësues, Tony Sinnott, në forumin botëror të ekonomisë në Davos të Zvicrës, që të krijojë lidhje përmes forcës “NAEF”.

Më herët gjatë këtij muaji, forca veriore çlirimtare amerikane, tha se është duke finalizuar memorandumin e mirëkuptimit me qeverinë rajonale të Kurdistanit në Irak, të cilët janë pajtuar të “sigurojnë vullnetarë në mbrojtjen dhe sigurinë, përtej asaj që është menduar, duke shpresuar në pozicionimin e tyre për nevojat e forcave kurde”.

Faqja zyrtare e re e këtij grupi, tregon se vullnetarët e “NAEF” do të pranojnë instrukcione dhe përkrahje në Peshmerga, “për të krijuar profesionalizëm drejt standardeve të NATO-s”.

Në të poashtu është publikuar një numër i “zonave potenciale për të ndërtuar kapacitetet”, duke shtuar “të drejtat e njeriut, ligjet ndërkombëtarë të luftës, si dhe urdhëresat në zbulimin e eksplozivëve”.

Burimet e lajmeve kanadeze kanë raportuar se zyrtarët ushtarak dhe qeveria, kanë dhënë mesazhe të ndryshme për ligjshmërinë e kanadezëve si luftëtarë të kurdëve.

Shefi i mbrojtjes së Kanadasë, Tom Lawson, ka thënë në nëntor që ai nuk ka shtyrë kanadezët të shkojnë në vendet tjera të luftojnë. Ata që duan të luftojnë kundër IS-it duhet të integrohen në forcat kanadeze.

Forcat speciale të Kanadasë në Irak, kanë shkëmbyer të shtëna me militantët e IS-it, gjatë javës së kaluar, dhe janë vendi i vetëm perëndimor që pranon se forcat tokësore të tyre kanë luftuar ekstremistët.

Në anën tjetër, një kanadez i konvertuar nga Otava, që kishte luftuar pranë IS-it, është raportuar të jetë vrarë në Kobane më 15 janar.

John Maguire 24 vjeçar, që kishte ndërruar emrin në Abu Anwar al-Canadi, është paraqitur së voni një një video të IS-it më 7 dhjetor, në të cilën bën thirrje tek kanadezët mysliman, për të kryer “sulme pa dallim” kundër civilëve.

Përgatiti: Flandra Marmullaku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG