Ndërlidhjet

Punëtorët shëndetësorë kërcënojnë me grevë


Punëtorët shëndetësorë në nivel të Kosovës, do të mbajnë grevë 24 orëshe, me datën 30 janar.

Ky vendim është marrë nga Federata Sindikale e Shëndetësisë.

Blerim Syla kryetar i kësaj federate, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se greva mbahet për arsye të mos plotësimit të kontratës kolektive.

Sipas zotit Syla, punëtorët shëndetësorë kërkojnë që kontrata kolektive e përgjithshme dhe sektoriale, të filloj së implemntuari dhe siç thotë ai, të fillohet dialogu për rritjen e pagave, si dhe implementimi i ligjit të pagave që është i aprovuar që nga viti 2010 nga Qeveria e Kosovës.

"Federata sindikale e shëndetësisë, ka marrë vendim që me datën 30 janar të mbahet një grevë 24 orëshe pas shterrjes së të gjitha mundësive ku kemi bërë apel te kryeministri dhe ministri i shëndetësisë, për t'u zbatuar kërkesa që ne kemi paraqitur. Nuk është shprehur një gatishmëri, as që të negociohet, por janë injoruar kërkesat tona" , ka theksuar Syla.

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, thotë se për shkak të agjendës së ngjeshur, nuk ka pasur mundësi të takohet me kreun e Federatës Sindikale të Shëndetësisë.

Por, zoti Rrahmani ka shtuar se është i njoftuar për grevën që do të mbahet.

"Mua si ministër më ka ardhur informata për grevën. Kërkesat janë që të implementohet komplet kontrata kolektive, të plotësohet ligji për pagat. Ne si minsitri respektojmë të drejtën për grevë".

"Kemi pasur takime me qeveritarë dhe ka mundësi që pjesë të caktuara të kontratës kolektive të plotësohen. Pagesa për stazhin këtë vit ka mundësi të përmbushet. Janë ndarë rreth 11.3 milion që do të dedikohen për plotësimin e kontratës kolektive", ka shtuar ministri Rrahmani.

Ai gjithashtu ka theksuar se do të zhvillohen takime për çështje me rëndësi për sektorin e shëndetësisë.

Ndërkaq, drejtori i përgjithshëm i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Curr Gjocaj, ka bërë të ditur se greva nga ana e punëtorëve shëndetësorë do të mbahet, por rastet emergjente të pacientëve do të merren parasysh.

"Ne jemi të informuar dhe sipas ligjit në fuqi do të respektohet ligji për grevat. Shërbimet emergjente do të punojnë, mirëpo ne do të zbatojmë ligjin në fuqi për grevat", ka theksuar Gjocaj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG