Ndërlidhjet

Libri në luftë me internetin


Generic -- Reading books
Generic -- Reading books

Përfaqësues nëpër libraritë e qytetit, thonë se lexueshmëria e librit është e kënaqshme, por sipas tyre është një kategori e caktuar e njerëzve që blejnë dhe lexojnë libra në vazhdimësi.

Megjithatë sipas tyre, lexueshmëria e librit po shënon rënie.

Por, mendohet se është një arsye tjetër që ka ndikuar te zvogëlimi i numrit të atyre që blejnë libra. Është ky interneti, që duke qenë një burim edhe i shkarkimit të literaturës së shumtë në kompjuter, ka ulur numrin e blerësve të librave.

Për lexueshmërinë mes librit të shtypur dhe ekranit, flet qytetarja Edona Gashi, studente e fakultetit filozofik.

"Mundohem të lexoj shumë, sidomos në këtë kohë ku jetojmë, duke e marrë parasyshë dinamikën e ditës, mendoj se kur je e pasionuar pas librave, gjen kohë. Kam menduar se nuk mund të lexoj pa e pas librin në dorë, por e kam blerë një program në internet dhe po e shoh se edhe më shumë po lexoj, pasi që nuk kam nevojë ta mbaj me vete librin dhe në çdo kohë mund të lexoj përmes ekranit".

Edhe studenti i gjuhës angleze Lum Gara, jep mendimin e tij, por ai mendon se interneti po e zëvendëson librin.

"Lexoj diçka, por mendoj se interneti ka ndikuar shumë në libra, për arsye se në internet gjen pothuajse çdo libër në pika të shkurtra".

Ndërkaq, përfaqësues të librarive thonë se edhe përkundër dëshirës së njerëzve për të lexuar libra , çmimet u duken të larta, andaj hezitojnë ti blejnë.

Çmimet e shume librave sillen nga 2 euro, e deri në 20 euro. Por ka edhe libra shumë më të shtrenjtë deri në qindra euro.

"Ka shumë kërkesa për libra. Por, mendoj se njerëzit nuk po kanë mundësi t'i blejnë. Unë gjatë gjithë ditës rri në shesh dhe shes libra, gjatë ditës i shes deri në 7 libra. Çmimet sillen nga 2 euro për libra shkollor e deri te 20 euro, libra këto qoftë të përkthyer apo edhe në gjuhë të huaja, kryesisht në gjuhë angleze", shton Mehmet Idrizi​.

Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës është institucioni më i lartë bibliotekar në Kosovë. Ajo ka mandatin të krijojë dhe mirëmbajë rrjetin e bibliotekave publike të Kosovë.

Në kuadër të kësaj biblioteke, veprojnë edhe shtatë biblioteka ndërkomunale, një nga to është edhe Biblioteka “Hivzi Sylejmani", që ka pesë qendra në Prishtinë, ndërsa shtatë të tjera në fshatra të kësaj komune.

Edhe pse libri për xhepin e qytetarëve mendohet të jetë i shtrenjtë, kjo nuk i pengon të rinjtë që ata të lexojnë. Kreshnik Morina student, thotë se edhe biblioteka është ajo që të ndihmon në marrjen e librave kur ke dëshirë të lexosh.

"Unë më tepër e shfrytëzoj librin sesa që lexoj në internet . Mendoj se është i shtrenjtë, por edhe me ndihmën e bibliotekës, edhe me shkëmbim librash me shokë dhe familjarë, ia dalim të lexojmë".

Sidoqoftë mundësia për të ofruar krijimtarinë letrare në Kosovë, sot kur interneti është bërë hapësirë ku njerëzit jo vetëm gjejnë informacionet e caktuara, por edhe argëtimin, është bërë sfiduese.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG