Ndërlidhjet

Kryesimi i OSBE-së nga Serbia, pa ndikim për Kosovën


Me organizimin e konferencës së parë të Këshillit të Përhershëm të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Vjenë, nga e enjtja, Serbia edhe zyrtarisht pritet të marrë në drejtim kryesimin e kësaj organizate.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, pritet të shpalosë edhe prioritetet e punës gjatë fazës një vjeçare të udhëheqjes së OSBE-së.

Lufta kundër terrorizmit, menaxhimi i ujërave dhe të drejtat e njeriut, pritet të jenë çështjet prioritare të punës për vitin 2015.

Mirëpo, në analiza të ndryshme, parashihet se OSBE do të ballafaqohet me politika e debate të ashpra edhe në lidhje me konfliktin në Ukrainë dhe rolin e Rusisë.

Sa i përket Kosovës, kryesimi i OSBE-së nga ana e Serbisë, në Qeverinë e Kosovës e shohin pa efekte. OSBE ka një mision në Kosovë i cili punon për më gjatë se 15 vjet.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Petrit Selimi ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Kosova nuk e ka edhe ashtu tash për tash në plan të aplikojë për anëtarësim në këtë organizatë, pasi që aty mund të jenë vende si Serbia apo Rusia që do të përdornin të drejtën e vetos.

Sipas tij, kryesimi i Serbisë, nuk ka ndonjë efekt sa i përket Kosovës.

"Presidenca e Serbisë as nuk e ndihmon e as nuk e '"ç'ndihmon" Kosovën në procesin e interaksionit në OSBE. OSBE-ja ka një mision të madh këtu në Kosovë dhe ne kemi projekte, punë direkte tash e 15 vjet me ta, e ndoshta edhe më gjatë. Kështu që në këtë fazë kryesimi i Serbisë paraqet një fakt jo relevant për diplomacinë e Kosovës", ka theksuar Selimi.

Për shkak të rrethanave politike që tash për tash i pamundësojnë Kosovës të bëhet anëtare e OSBE-së, synimet e saj janë orientuar kryesisht kah Këshilli i Evropës dhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Zëvendësministri Selimi i shpjegon arsyet pse në këtë fazë, është më e rëndësishme që diplomacia e Kosovës të përqendrohet në prioritete tjera.

"Prioritet sa i përket botës multilaterale është aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës, nënshkrimi i MSA-së si një hap formal në Bashkimin Evropian si dhe fillimi i punës në udhërrëfyesin për partneritet për paqe, që është po ashtu hapi i parë formal drejt anëtarësimit në NATO. Siç e dini, NATO ka mision këtu në Kosovë, por ne nuk jemi të përfaqësuar në Bruksel", ka deklaruar Selimi.

Sidoqoftë, Serbia, merr kryesimin e OSBE-së nga 15 janari, pas kryesimit paraprak një vjeçar nga ana e Zvicrës.

Sipas analistëve, sfida kryesore për këtë vend do të jetë menaxhimi i raporteve të përkeqësuarandërmjet vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe Rusisë në lidhje me konfliktin në Ukrainë.

Florian Bieber, ekspert për çështje politike në Evropën Juglindore nga Universiteti i Gracit i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Bashkimi Evropian mund t'i rrisë presionet mbi Beogradin, marrë parasysh se Serbia është edhe në raporte integruese për në BE.

Përderisa nga Rusia, ai parasheh se nuk ka se çka t'i ofroj tani Serbisë, pas dështimit të shtrirjes së gazit rus përmes Serbisë në projektin e njohur si "Rrjedha e Jugut".

"Nuk e di se çka Rusia mund t'i ofrojë Serbisë, përveç disa investimeve, por të cilat ta zëmë mund t'i bënte edhe Dubai apo Kina. Kështu që nuk shoh se Rusia ka këtu në dorë ndonjë kartë me të cilën do të luante dhe jam i sigurt që Bashkimi Evropian tani nuk pret diçka të pamundshme nga Serbia, pos që të jetë më e qartë sa i përket politikës së saj përafruese kah Brukseli", ka deklaruar Bieber.

Përderisa Serbia pritet që në rolin e kryesueses së OSBE-së të ballafaqohet me prezantimin e balanceve politike mes Bashkimit Evropian dhe Rusisë, misionet tjera, përfshirë edhe atë në Kosovë, duket se nuk do të pësojnë ndonjë ndryshim dhe do të vazhdojnë me punën dhe dinamikën e njëjtë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG