Ndërlidhjet

Maqedoni: Më shumë propagandë se sa investime të huaja


Edhe vitin 2015, drejtuesit e qeverisë e kanë nisur me paralajmërime për investime të mëdha, ndërkohë që një fushatë të tillë kishte edhe gjatë vitit të kaluar, por që në përfundim të tij, vendin e radhiti thuajse në fund të shteteve të rajonit sa i përket investimeve direkte nga jashtë, bazuar në statistikat e publikuara.

Pas njoftimeve për tri investime të reja në Shkup, Strugë dhe Prilep, agjencia për investimeve të huaja, ka paralajmëruar madje 25 kompani të huaja që këtë vit do të nisin investimet në vend.

Kryeministri Nikolla Gruevski ka deklaruar se efektet nga investimet e huaja tani më janë të dukshme kurse me të rejat që pritet të vijnë, do të hapet mijëra vende pune.

“Investimet veç më po ndikojnë në zhvillimin e ekonomisë, një e treta e eksportit të përgjithshëm nga Maqedonia po realizohet përmes zonave të lira ekonomike. Ne kur erdhëm në pushtet kishte 38 për qind papunësi ndërsa tani kjo shifër ka zbritur në 27.9 për qind. Pra, kemi përfitime të shumta si direkte ashtu edhe indirekte nga këto investime të huaja“, ka deklaruar Gruevski.

Nga agjencia për investime të huaja thonë se viti 2014 ka qenë ndër më të suksesshmit pasi 13 kompani të huaja kanë publikuar vendimin për investime në Maqedoni, kurse gjatë këtij viti, pritet që kompanitë që kanë shtrirë aktivitin e tyre në zonat ekonomike, të rrisin eksportin e përgjithshëm prej 10 deri më 15 për qind.

Por, deklarimet e tilla bien në kundërshtim me statistikat. Maqedonia, sipas raportit të fundit të Kombeve të Bashkuara, është thuajse e fundit sa i përket investimeve të huaja. Në Maqedoni kanë hyrë vetëm 334 milionë dollarë, për dallim nga Mali i Zi, Serbia, apo Shqipëria, ku investimet kanë qenë thuajse dy herë më të larta.

“Kemi shumë politikë boshe, shumë trumbetime, shumë reklama që shtrenjtë po i paguajmë pasi nuk po japin asnjë efekt dhe këtë e dëshmojnë edhe statistikat që flasin se ku ndodhet Maqedonia në raport me vendet tjera. Këtu po përmendi vetëm se Shqipërinë e cila jo që ka ndonjë mundësi më të madhe se Maqedonia, por për shkak të sigurisë në radhë të parë që jep rezultate shumë më të mira“, thotë Menderes Kuçi, Kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperendimore.

Ai ka ngritur si problem favorizimin vetëm se të kompanive të jashtme, por edhe bllokimin e procesit integrues, që sipas tij, është problemi kryesor që shkakton ngecje në investimet, e huaja e rrjedhimisht edhe në zhvillimin ekonomik të vendit.

Sipas ekpertëve, në përgjithësi në Botë, investimet e huaja sillen në rreth 10 për qind të bruto prodhimit të brendshëm. Në rast se bazohemi në këtë parametër, atëherë investimet në Maqedoni nuk duhej të ishim më të ulëta se 400 milionë euro, thonë ekspertët duke reaguar edhe ndaj lehtësirave pa kriter që i jepen investitorëvë të huaja dhe dhe pagesave qesharake për fuqinë punëtore.

“Maqedonia thjeshtë po shitet. Unë nuk e kuptoj se si mund të jetë mirë për vendin nëse i jepen gjithë ato resurese dhe garanci investitorëve të huaj dhe atyre tu mundësohet me ligj që të paguajnë punëtorët nga 9 deri më 10 mijë denërë, apo rreth 150 euro. Kjo nuk mund të quhet sukses i qeverisë. Kush sot mund të mbijetojë me 9 mijë denarë? Çdo ditë lavdërohen se kemi rezultate e kështu me radhë, por rezultati kryesor është varfërimi i Maqedonisë. Në ndodhemi në shkallën më të ulët të varfërisë jo vetëm në raport me Evropën, por edhe më shumë shtete tjera në botë“, thotë Petar Goshev, ish Guvernator i Bankës Popullore të Maqedonisë.

Sipas ekspertëve, qeveria më shumë ka harxhuar para për reklama se sa ka marrë përftitime nga ato pak kompani që kanë vendosur të investojnë në Maqedoni. Vlerësohet se gjatë 7-8 viteve të fundit janë harxhuar madje qindra miliona euro për fushata të ndryshme reklamuese dhe udhëtime në vende të ndryshme për tërheqjen e investimeve të huaja.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG