Ndërlidhjet

Maqedoni: Pa optimizëm për përmirësim mediatik


Mediat në Maqedoni edhe në vitin 2015 do të përballen me problemet që e përcollën gjatë vitit të kaluar nëse nuk ndërmerren hapa konkret në përmirësimin e gjendjes në të cilën ndodhen, me informim jo objektiv, nxitje të urrejtjes, fjalor fyes, e shkelje tjera të standardeve profesionale, të gjitha këto si pasojë e ndërhyrjes së politikës në punën e tyre.

Kështu vlerësojnë drejtuesit e disa mediave dhe të shkollës së lartë për gazetari në Shkup.

“Përvoja e viteve të fundit nuk lenë hapësirë për ndonjë optimizëm se viti 2015 mund të sjellë ndonjë ndryshim pozitiv lidhur me gjendjen e mediave në Maqedoni".

"Mirëpo, nëse gazetarët bashkohen dhe vetëdijesohen se solidarizimi mes kolegëve është shumë më i rëndësishëm se përkrahja financiare që mund të japin qeveria, ministria apo institucionet tjera, atëherë viti 2015, është një rasti i mirë për kthesë pozitive dhe për përmirësimin e imazhit të keq që është krijuar për Maqedoninë si vrimë e zezë e gazetarisë në Ballkan dhe Evropë”, thotë Isen Saliu, kryeredaktor i gazetës “Lajm”, duke fajësuar pushtetin dhe partitë në përgjithësi për politizimin e mediave dhe për pasojë informimin jo objektiv.

Ai thotë se mediat në Maqedoni transmetojnë dy realitet krejt të kundërtat për atë që ndodhë, qoftë edhe për ngjarjet më të rëndomta, varësisht se kujt i shërbejnë informacionet që transmetojnë.

“Këtij pushteti, kësaj qeverie i konvenon që në Maqedoni të ketë dy realitete të kundërta, të thellohen sa më shumë ndasitë mes dy komuniteteve më të mëdha, shqiptarëve e maqedonasve, si formë më e mirë për të ruajtur pozicionet secila partitë, apo pjesë e pushtetit, në taborin e saj etnik”, thotë Saliu.

Zhaneta Trajkoska nga Shkolla e lartë e gazetarisë, thotë se nuk ka ilaç të mirë për shërimin e shpejtë të gazetarisë në Maqedoni pa ndryshimin e qasjes së pushtetit ndaj mediave, apo pa heqjen dorë mbi politikat e tyre redaktuese.

“Së pari duhet të ndërpriten reklamat qeveritare në të gjitha mediumet që të bisedohet për gjetjen e një formule se si këto reklama, fushata që janë të karakterit publik të kenë qasje tek opinion, pasi në të kundërtën, pra nëse vazhdon në këtë formë atëherë vetëm sa përforcohet bindja e blerjes së mediave".

"Çështja tjetër ka të bëjë me hapjen e të gjitha dilemave që kanë të bëjnë me transmetuesin publik dhe çështja tjetër ka të bëj me gazetarët dhe mediat për vet-rregullimin e tyre dhe respektimin e çështjeve të etikës dhe ngritjen e profesionalizmit”, thotë Trajkovska.

Ajo konsideron se për arritjen e kësaj nevojitet në radhë të parë vullnet politik.

“Me një shoqëri të këtillë të politizuar ku politika dhe partia janë parësore, vështirë se mund të ketë ndryshime. Nëse nuk ka vullnet politik të sinqertë nuk do të ndryshoj asgjë".

Nëse mendojmë se gjendjen e këtillë të keqe mund ta ndryshojmë për një kohë të shkurtët, gënjehemi. Mediumet janë në gjendjen të rëndë, në veçanti në pjesën e punës profesionale e cila është e ndërlidhur me aspekte financiare, prandaj nuk pres përmirësim të shpejtë të gjendjen në të cilën ndodhen ato”, thotë Trajkovska.

Se gjendja e mediave është është në gjendje të keqe flasin edhe shumë raporte të organizatave ndërkohë, përfshirë edhe Komisionin Evropian dhe raporti i progresit i vitit të kaluar.

“Ekziston kontroll indirekt i pushtetit ndaj mediumeve përmes reklamave qeveritare dhe favorizimit të mediave varësisht pozicionit të tyre ndaj politikave të pushtetit. Transmetuesi publik nuk e ka kryer rolin e tij në sigurimin e përmbajtjeve programore të balancuar dhe informimit objektiv, ndërsa politika e njëanshme është vërejtur edhe nga OSBE-ja gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar. Standardet e këqija gazetareske dhe etika ndikojnë në përkeqësimin e gjendjes”, thuhej veç tjerash në raportin e komisionit.

Në listën e shumë organizatave ndërkombëtare, Maqedonia vazhdon të gjendet në grupin e shteteve me liri të kufizuar ku bëjnë pjesë shumë shtete diktatoriale nga kontinenti afrikan dhe aziatik.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG