Së paku 12 njerëz, përfshirë katër gazetarë dhe dy policë, janë vrarë nga një sulm në selinë e revistës satirike “Charlie Hebdo” në Paris.
Po ashtu, dhjetë persona të tjerë janë plagosur, disa nga ta në gjendje kritike.
“Ka njerëz të plagosur. Pesë nga ta janë shumë, shumë rëndë. Plagët u kërcënojnë jetën”, ka thënë Emmanuel Quemener, zyrtar i policisë franceze.
Revista “Charlie Hebdo” ka marrë kërcënime të vazhdueshme për karikaturat e saj për Profetin Muhammad.
Presidenti i Francës, Francois Hollande, i cili ka arritur në vendin e ngjarjes shumë shpejt pas sulmit, u ka thënë gazetarëve se ai është një “akt i terrorizmit”.
“Një akt jashtëzakonisht barbar ka ndodhur këtu në Paris, kundër një reviste, një botimi që është mishërim i lirisë”, ka thënë Hollande.
Franca ka rritur në nivelin më të lartë kërcënimin terrorist për Parisin. Hollande ka thënë se “disa sulme terroriste janë parandaluar në javët e fundit”.
“Ne jemi të kërcënuar sepse jemi vend i lirisë”, ka thënë Hollande.
CNN ka raportuar se dy persona të armatosur kanë hyrë në ndërtesën e revistës dhe kanë shtënë me armë zjarri për rreth pesë minuta.
Shtëpia e Bardhë ka dënuar sulmin në “termat më të fuqishëm të mundshëm”.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë përmes një deklarate se të shtënat në Paris nuk janë vetëm sulm mbi qytetarët e Francës, por edhe mbi lirinë e shtypit dhe të fjalës.
Kryeministri britanik, David Cameron, ka dënuar po ashtu sulmin përmes një postimi në Twitter.
“Vrasjet në Paris janë të pështira. Ne qëndrojmë me popullin francez në luftën kundër terrorizmit dhe në mbrojtjen e lirisë së shtypit”, ka shkruar Cameron.
Javroja satirike “Charlie Hebdo” ka bërë nam në shkurt të vitit 2006, kur ka ribotuar karikaturat e Profetit Muhammad, të cilat fillimisht janë shfaqur në të përditshmen daneze “Jyllands-Posten”, duke shkaktuar zemërim në gjithë botën myslimane.
Pavarësisht se është çuar në gjykatë, në bazë të ligjeve kundër racizmit, javorja ka vazhduar të publikojë karikaturat kontroverse të Profetit mysliman.
Në shtator të vitit 2012, “Charlie Hebdo” ka publikuar karikatua të Muhammadit të zhveshur. Cicërima e saj e fundit në Twitter ka qenë sot, një karikaturë e liderit të grupit militant të Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi.
Sulmi ka ndodhur në të njëjtën ditë kur në libraritë franceze ka dalë një libër, i cili imagjinon të ardhmen e Francës nën sundimin islamik.
Ai po ashtu vjen disa ditë pasi dhjetëra-mijëta njerëz kanë mbajtur protesta rivale në disa qytete të Gjermanisë, për dhe kundër grupit PEGIDA, i cili kundërshton “islamizimin e Evropës”.