Ndërlidhjet

Gjykata Speciale e varur nga uniteti i pushtetit


Themelimi i Gjykatës Speciale për krimet e luftës mund të jetë i varur nga uniteti i deputetëve të koalicionit qeverisës. Në rast se ky koalicion, me theks të veçantë Lidhja Demokratike e Kosovës, tregohet jo unike në votim sikurse në rastin e formimit të qeverisë, atëherë do të vihej në pikëpyetje formimi i kësaj gjykate, ngaqë për themelimin e saj, krahas infrastrukturës ligjore do të nevojitet edhe miratimi i disa amandamenteve kushtetuese.

Ndryshimet kushtetuese kërkojnë miratimin e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit, si dhe dy të tretat e deputetëve nga radhët e minoriteteve.

Andaj, koalicionit, do t'i nevojitet uniteti në votim që të siguroj 80 votat e nevojshme. Tash për tash, nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka një përgjigje në lidhje me këtë çështje.

Në anën tjetër, opozita po tregohet e bashkuar që të mos e mbështes themelimin e Gjykatës Speciale. Deputetja Albulena Haxhiu, nga Lëvizja Vetëvendosje, njëherësh kryetare e Komisionit Parlamentar për Legjislacion, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se themelimi i kësaj Gjykate, është i dëmshëm për Kosovën, andaj edhe nuk do të mbështetet me votat e Vetëvendosjes.

"Themelimi i kësaj gjykate do ta dëmtoj jashtëzakonisht Kosovën në aspektin ndërkombëtar dhe njëkohësisht do ta paraqes një pasqyrë të shtrembëruar të shqiptarëve dhe UÇK-së, pra duke na e mveshur neve faturën e krimeve të kryera gjatë luftës këtu", ka thënë Haxhiu.

Një arsye tjetër pse Gjykata Speciale, sipas deputetes Albulena Haxhiu nuk duhet mbështetur, është se ajo bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Si kryetare e Komisionit, deputetja Haxhiu thotë se do të përkujdeset që propozimet që bien ndesh me kushtetutën të mos procedohen në Kuvend.

"Në bazë të deklaratave publike të qeverisë, të gjitha propozimet do të bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe përgjegjësi e Komisionit për Legjislacion është edhe verifikimi ose shqyrtimi i akteve pranë komisionit në aspektin kushtetues. Meqë Lëvizja Vetëvendosje udhëheq me Komisionin për Legjislacion, ne do të sigurohemi që nuk do të shkoj asnjë propozim në seancë që bie ndesh me Kushtetutën e vendit dhe interesat e qytetarëve", ka deklaruar deputetja Haxhiu.

Kundër themelimit të Gjykatës Speciale është edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Shefja e grupit Parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se themelimi i kësaj Gjykate nuk do të duhej të shihej si prioritet për Kosovën.

Sipas saj, kapja e shtetit nga partia më e madhe në vend, ka ndikuar që Kosova të vijë sot në situatë që të ketë si opsion themelimin e një Gjykate të tillë të veçantë.

"Si parti politike kemi dhënë shembuj të jashtëzakonshëm të respektimit dhe nderimit të drejtësisë vendore e ndërkombëtare. Mirëpo në këtë fazë konsiderojmë që prioritetet e vendit janë tjera dhe konsiderojmë se kjo Gjykatë Speciale ka ardhur në vend si pasojë e keqqeverisjes, kapjes së shtetit, dhe mungesës së respektimit të ligjeve në vend dhe dështimit në sundimin e ligjit dhe funksionimit të pavarur të gjyqësorit", ka theksuar deputetja Kadaj-Bujupi.

Gjatë një interviste për programin tonë, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e kishte cilësuar themelimin e Gjykatës Speciale si sfidën më të madhe për shoqërinë e Kosovës që ndërlidhet me të kaluarën.

"Krijimi i Gjykatës Speciale reflekton përcaktimin tonë për një proces të pavarur dhe të paanshëm që me kredibilitet i shqyrton këto akuza një herë e përgjithmonë. Kjo gjykatë do të merret me raste individuale dhe assesi nuk do të jetë një denoncim i betejës tonë të përbashkët dhe të shenjtë për liri dhe pavarësi", ka thënë Jahjaga.

Ideja për themelimin e një Tribunali Ndërkombëtar për Kosovën që më vonë u quajt Gjykata e veçantë apo speciale, fillimisht ishte prezantuar se ka rrjedhë në bazë të hetimeve të iniciuara nga Këshilli i Evropës, që si bazë kishin dyshimet e supozuara të zviceranit Dick Marty, mbi trafikimin e organeve të serbëve nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në bazë të këtyre supozimeve, prokurori amerikan Clint Williamson, ka zhvilluar edhe një hetim të gjerë. E veçanta e funksionimit të kësaj Gjykate do të jetë roli i prokurorëve dhe gjykatësve ndërkombëtar dhe trajtimi i rasteve jashtë Kosovës, për të shmangur presionet dhe ndërhyrjet në punën e gjyqësorit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG