Ndërlidhjet

Luftë informacionesh


Është 2 maji në Odesa dhe një doktor është duke u munduar me të gjitha forcat të shpëtojë protestuesit pro rusë – më shumë se 40 nga të cilët do të vdesin – të bllokuar në një qendër tregtare në qytetin ukrainas.

"Si mjek që jam, nxitova t’i ndihmoj ata që mund të shpëtoheshin, por u ndalova nga radikalët nazist pro-Ukrainë”, shkruan doktori në Facebook, duke përdorur shprehje që u ripërsëritën nga fytyra publike dhe media ruse për të përshkruar udhëheqësit e ri të Ukrainës, pas rrëzimit të presidtentit ukrainas Viktor Yanukovych në shkurt.

"Një nga ta më shtyu dhunshëm, duke më premtuar se së shpejti mua dhe çifutëve tjerë të Odesës, na pret fati i njëjtë”, shkruan doktori.

Një llogari interesante në Facebook, por e rreme. “Doktori” nga Odesa nuk ekzistonte. Personi që postoi këtë ngjarje përdori fotografinë e një dentist që jetonte 2 mijë kilometra më larg, dhe faqja u zhduk shumë shpejtë.

Megjithatë, ky postim u shpërnda në masë të madhe dhe arriti deri te mediat perëndimore, përmes një opinioni të shkruar nga gazetari John Pilger"The Guardian".

2014 ishte viti kur mediat e përkrahura nga Kremlini u globalizuan. Në Rusi, televizioni shtetëror shfaqi një pamje të një Perëndimit hakmarrës që cenon sferën e ndikimit “historike” të Rusisë, ndërsa Moska zgjeroi degët e transmetuesve rus në gjuhë të huaja, si RT, dhe krijoi një agjenci të re të informacionit të shpejtë, atë që disa e kanë quajtur një "luftë informacionesh".

Më 2014, një shikues i rregullt i njërit nga tre kanalet televizive shtetërore mund të ketë mësuar se ushtarët ukrainas kanë kryqëzuar një djalosh tre vjeçar në sheshin e qytetit lindor Slovyansk; ose që kampe të përqëndrimit të stilit nazist po ndërtohen që të mbajnë rusisht-folësit në lindje të Ukrainës; ose që zyrtarët e lartë të Ukrainës bënin komplote me Satanistët.

Këto janë shpikje, mirëpo rreth 50 përqind e rusëve – në mesin e 94 përqind që marin lajmet nga televizioni – thonë se u besojnë televizioneve shtetërore më shume se çdo burimi tjetër, sipas një sondazhi të publikuar nga Qendra Levada në fillim të këtij viti (burimi i dytë më i besueshëm ishin miqtë, familja dhe fqinjët, me 20 përqind.

Ngjarjet e udhëhequra nga shteti kanë dominuar për kohë të gjatë, mirëpo përderisa Rusia dhe Perëndimi u ballafaquan me krizën më të madhe që nga ndarja e Bashkimit Sovjetik, Moska ka treguar interes të shtuar për të dërguar mesazhe edhe në Perëndim.

Në nëntor, Dimitri Kiselyov, udhëheqësi i propagandës shtetërore që më heret kishte paralajmëruar në një program javor që Rusia është shteti i vetëm në botë që mundt të kthejë Shtetet e Bashkuara në “pluhur radioaktiv”, lansoi agjencinë e lajmeve Sputnik, e cila, siç tha ai, do të transmetojë në 34 shtete dhe në 30 gjuhë deri në fund të 2015.

Buxheti i RT-së, kanali ndërkombëtar i lajmeve pro-Kremlin, i njohur më parë si “Russia Today”, do të ngritet në 15.8 miliard rubla (rreth 280 millionë dollarë amerikanë) vitin tjetër .

Mediat nuk e kanë qëllim të “bindin ose të mbushin mendjen e shikuesit, por të mbajnë shikuesin të ngjitur dhe të hutuar, pasiv dhe në paranojë, e jo të nxitur për aksion,” thonë Peter Pomerantsev dhe Michael Weiss, në “The Menace of Unreality”, një raport nga instituti për Rusinë Moderne në Princeton, Neë Jersey, i publikuar në nëntor.

Megjithatë, disa vënë në dyshim nëse përpjekjet e Kremlinit jashtë vendit janë efektive.

“Për njerëzit që thonë se është një rrezik real, pyes nëse ata janë duke u treguar disi alarmant”, thotë Kevin Rothrock, redaktori i projektit RuNet Echo, një ueb-faqe i cili vëzhgon internetin rus. “Kur vie te përcaktimi i sasisë së fuqisë dhe ndikimit të kësaj propagande, sipas meje askush nuk e ka bërë këtë mënyrë të bindshme.”

Megjithëse RT mburret që transmetimet e tyre janë të disponueshme në 630 milionë njësi televizioni në të gjithë botën, ka pak të dhëna për shikueshmërinë e vërtetë.

Mirëpo Pomerantsev dhe Weiss tregojnë mbulimin e tragjedisë së korrikut për flutirimin MH16 të Malaysia Airlines si shembull se si funksionon strategjia e Moskës.

Ka dëshmi bindëse se separatistët pro-rusë kishin në dispozicion lansuesin e raketave BUK, i cili mendohet që është përdorur për të rrëzuar aeroplanin, duke vrarë kështu 298 pasagjerët dhe ekuipazhin.

Mirëpo, të udhëhequr në perëndim nga RT, agjensitë e lajmeve Ruse punuan që të mbjellin dyshimin duke transmetuar teori që lehtë demaskohen, që të lidhin tragjedinë me Perëndimin dhe Ukrainën.

Këto përpjekje nuk kishin qëllim të bindnin shikuesin e rëndomtë të lajmeve që njëra anë apo tjetra ishte përgjegjëse për rrëzimin e aeroplanit, mirëpo të ngulisnin idenë që kjo është ende një çështje e hapur.

Në shkallë të vogël, disa përpjekje janë bërë që nga muaji marsi, kur Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë, që të sulmojnë përpjekjet e Moskës.

Yevhen Fedchenko, drejtor i Shkollës së Gazetarisë Mohyla në Kiev, themeloi stopfake.org, një ueb-faqe në gjuhën angleze, ruse dhe ukrainase, e krijuar për të “përgënjeshtuar informatat dhe propagandat e shtrembëruara mbi ngjarjet në Ukrainë.”

Ai thotë që faqet si e tij nuk duhet të punojnë të “konkurojnë me makinën ruse të propagandës”, mirëpo të raportojnë lajmet në tërësi në sa më shumë vende që është e mundur.

Pomerantsev dhe Weiss bëjnë thirrje për një strategji të gjërë e të koordinuar e cila do të përfshinte një “kartë keqinformimi” dhe “redaktorë kundër keqinformimit” për të luftuar kundër asaj që ata e quajnë “informimin e armatosur” të Kremlinit.

“Ne po përballemi me një sfidë me të cilën nuk jemi ballafaquar më parë”, tha Weiss për REL. “Dhe më vjen keq të them që regjimi i Putinit dhe zëvendësuesit e tij janë tmerrësisht të aftë të luajnë këtë lojë.”

Përgatiti: Gresa Kraja

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG