Kur militantët e Shtetit Islamik (IS) e okupuan qytetin irakian, Falluxha, në janar të vitit 2014, presidenti amerikan, Barack Obama, i pat cilësuar ata si “ekip i dytë” në krahasim me pjesëtarët e rrjetit, al-Kaida.
Por, 6 muaj më vonë, xhihadistët e Shtetit Islamik e morën edhe qytetin e dytë më të madh në Irak, Mosul, të cilin ende e kanë nën kontroll. Tre muaj pas kësaj, zoti Obama, e ka shprehur përkushtimin për t’i shkatërruar “këta terroristë, që janë unikë në brutalitetin e tyre” dhe ka tërhequr vërejtjen se ata mund të paraqesin kërcënim për Shtetet e Bashkuara, “nëse nuk ndërmerren masa”.
Rritja e papritur dhe meteorike e grupit militant ishte në mesin e një numri të krizave me të cilat u mor politika e jashtme amerikane në vitin 2014.
Këtu përfshihet një rreze e gjerë: prej luftës në Ukrainë, e deri te bisedat me Rusinë në stilin e Luftës së Ftohtë të re, pastaj lufta civile në Siri dhe kriza humanitare atje, e deri te rruga pa krye në raportet izraelito-palestineze.
“Në përgjithësi viti ka krijuar një përshtypje se kjo është një administratë e rrethuar, që ballafaqohet me kriza në një numër të fronteve të ndryshme dhe për pjesën më të madhe nuk ka manifestuar nivel të besimit që i bënë njerëzit të mendojnë se ata janë në rrugë të drejtë”, thotë ish-zyrtari i Departamentit amerikan të shtetit, David Kramer, për Radion Evropa e Lirë.
Analistët e politikës së jashtme konsiderojnë se viti 2014 doli një vit me kriza të ndryshme ndërkombëtare, që e shmangën energjinë e administratës Obama nga fronti vendës dhe e detyruan atë që t’i vendos ushtarët amerikanë dhe kapacitetet ekonomike në përpjekje për ndaljen e zjarrit në disa kënde të botës.
Richard Fontaine, ishte anëtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të presidentit, George Bush i riu.
Ai konsideron se viti 2014 ishte tejet sfidues.
“Viti 2014 doli se ishte një vit tepër sfidues dhe do të ishte sfidë për cilindo president ose çfarëdo administrate. Por, mendoj se disa nga shqetësimet që i ka bota dhe disa zhvillime që kanë ndodhur, janë pjesërisht për shkak të dëshirës për tu tërhequr nga ajo që administrata Obama e sheh si angazhim të tepërt të jashtëm të administratës së Bushit”, thotë Richard Fontaine.
Ai shprehet për angazhimet e presidentit në çështjet e brendshme dhe ato të jashtmet.
“Presidenti e ka bërë të qartë se ai do të dëshironte të fokusohet në shtetndërtim në shtëpi, dhe problemi është se bota nuk do ta lejoj atë ose ndonjë president tjetër ta bëjë këtë, duke e përjashtuar pjesën tjetër të botës”, thotë Fontaine.
Ngritja e militantëve të Shtetit Islamik, po ashtu, ka paraqitur komplikime në angazhimin e Obamës lidhur me luftën e ashpër civile në Siri, për të cilën ai thotë se presidenti, Bashar al-Assad, e ka humbur legjitimitetin për shkak të “vrasjes së pamëshirshme të mijëra shtetasve të tij”.
Sekretari amerikan i mbrojtjes, Chuck Hagel, ka pranuar në muajin tetor të vitit 2014 se Assadi “ka nxjerrë disa përfitime” nga aksioni ushtarak amerikan kundër militantëve të Shtetit Islamik, të cilët, po ashtu, kanë luftuar kundër forcave të zotit Assad.
Disa javë më vonë, Obama pat thënë se Uahsingtoni nuk e shqyrton koordinimin me Assadin për t’i luftuar forcat e grupit ekstremist, Shteti islamik.
“Nuk ka pritje se ne në ndonjë mënyrë do të hyjmë në aleancë me Assadin”, pat thënë Obama dhe ka shtuar se “Ai nuk është i besueshëm në atë vend”.
Presidenti amerikan tha se administrata e tij nuk ishte duke disktuaur për shkarkimin e Assadit.
Çështja e balancimit të luftës kundër militantëve të Shtetit Islamik dhe pozicionit të Shtëpisë së Bardhë për Assadin, ishte subjekt i një memorandumi të sekretarit të mbrojtjes, Chuck Hagel, për Susan Rice, këshilltare e sigurisë kombëtare e presidentit Obama, në muajin tetor, me ç’rast ai ka shprehur “shqetësim për strategjinë e përgjithshme për Sirinë”, i ka thënë rrjetit CNN një zyrtar i lartë amerikan.
Një muaj pas memorandumit, për të cilin së pari ishte raportuar në New York Times, Obama e pranoi dorëheqjen e zotit Hagel për shkak të tensioneve ndërmjet tij dhe këshilltarëve më të afërt të presidentit Obama.
Zoti Hagel ka vlerësuar se ishte i shqetësuar se a do të bashkoheshin liderët amerikanë.
“Ajo që më së shumti më brengos, më së shumti është ajo se a do të jemi ne, liderët tanë, të gjithë së bashku... A do të jemi në gjendje që në këtë periudhë që është shumë e rëndësishme dhe e vështirë, ta bëjmë këtë? Para do kohe i thashë presidentit se nuk e di ndonjë kohë që ishte më e vështirë për të qenë president i Shteteve të Bashkuara ose udhëheqës në këtë vend se tash”, tha Chuck Hagel.
Për shkak të aneksimit të Krimesë së Ukrainës nga ana e Rusisë, në mars të vitit 2014, dhe rrjedhimisht shpërthimit të luftimeve ndërmjet separatistëve pro-rusë dhe forcave qeveritare të Ukrainës në pjesën lindore të këtij vendi, janë ftohur shumë raportet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.
Vlerësohet se niveli i marrëdhënieve Uashignton – Moskë ka rënë në nivelet më të ulëta prej përfundimit të Luftës së Ftohtë.
Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Ukraina e fajësojnë Rusinë se i mbështetë separatistët prorusë në pjesën lindore të Ukrainës.