Ndërlidhjet

Bizneset mbushin “dhunshëm“ buxhetin


Që nga fillimi i këtij muaji, Dogana e Kosovës ka pezulluar eksportin dhe importin e 220 kompanive të ndryshme të Kosovës, për shkak të siç thuhet, obligimeve tatimore të papërfunduar që kanë ndaj shtetit.

Adriatik Stavileci, zëdhënës në Dogana të Kosovës, për Radion Evropa e Lirë, thotë se borxhi i këtyre kompanive ka arritur në 3 milion euro.

Në momentin kur janë identifikuar kompanitë që kanë borxhe, Stavileci, tregon se kanë paralajmëruar subjektet afariste që të përfundojnë obligimet.

“Sot është dita e 20 e aplikimit të masës se pezullimit, deri më tash 50 për qind e kompanive kanë pranuar të bëjnë marrëveshje, një pjesë prej tyre kanë shlyer të gjitha borxhet. Kështu që presim që deri në fund të vitit të gjitha kompanitë të përmbyllin këto borxhe”, tha Stavileci .

Në anën tjetër, pronarë të kompanive dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit shprehin shqetësimin e tyre për këtë vendim.

Sipas tyre, vendimi i Doganës është i padrejtë dhe presion për mbushjen e buxhetit të Kosovës.

Në mesin e kompanive që iu është pezulluar importi dhe eksporti, është edhe kompania “Eurogoma” që merret më importin e gomave, baterive dhe vajrave motorike.

Pronari i kësaj kompanie Ismet Rexhepi, këtë vendim e quan të ashpër. Ai tregon se aktiviteti i tij është pezulluar për shkak, se Dogana i ka njoftuar se ka borxh 430 mijë euro, e që sipas tij, nuk është e vërtet.

Megjithatë, Rexhepi pohon se për të filluar aktivitetin është detyruar që të lidhë marrëveshje “ të obligueshme“, për një vit më Doganën e Kosovës, që të paguajë 36 mijë euro në muaj.

Por, ai thotë se do të ankohet në organet e drejtësisë në mënyrë që të vërtetohet se a ekziston më të vërtet ky borxh.

“Unë e kam lëndën për vitin 2005 dhe Dogana e Kosovës nuk ka arritur që të zgjidh një pretendim të tij që dhjetë vite. Dhe në një mënyrë ata vetë janë përcaktuar, lëndën e kanë dërguar në gjykatë. Mua asnjëherë as nga gjykata dhe as nga Dogana nuk më kanë kontaktuar për të njoftuar se kam ndonjë problem më ta".

"Ne fillimisht e kemi problem a kemi apo nuk kemi borxh, që unë më plotë përgjegjësi them se unë nuk ia kam doganës këtë borxh. Dhe ende pa e konfirmuar borxhin Dogana dëshiron të inkason borxhin”, shprehet Rexhepi për Radion Evropa e Lirë.

Kurse, Agim Shahini, nga Aleanca Kosovare e Biznesit, thekson se mbi 70 për qind e këtyre lëndeve janë duke trajtuar në procedura gjyqësore dhe që autoritetet doganore nuk është dashur të marrin një vendim të tillë.

Shahini ndërkaq thotë, se ky veprim është një presion ndaj bizneseve që të përmbushin arkën e shtetit.

“Disa biznese tashmë kanë hyrë në marrëveshje, marrëveshje kjo që ne e konsiderojmë të ngutshme, të dhunshme dhe jo të ligjshme për shkak të gjitha këto janë në procedura të ankesave".

"Ne nuk themi që borxhet të falen, por të pritet vendimi i drejtësisë, dhe atëherë bizneset do ti paguajnë ose të bllokohen. Kjo është kërkesë e Aleancës Kosovare të Biznesit”, thekson Shahini për Radion Evropa e Lirë .

Sidoqoftë, zyrtarë të Doganave të Kosovës, pohojnë se borxhet e grumbullura të këtyre kompanive i përkasin vitit 2012 – 2013.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG