Universiteti i Prishtinës Hasan Prishina, shumë herë ka qenë në qendër të kritikave të ekspertëve për çështje të arsimit, se ky sistem është shndërruar në arenë të keqpërdorimeve dhe aferave korruptive.
Jo rrallëherë është thënë se notat e disa studentëve nuk përkojnë më dijen e tyre, pasi ka raste kur studentët paguajnë provimet, si për një notë më të mirë.
Por, a ka korrupsion në Universitetin Publik të Prishtinës, disa studentë për rubrikën e përjavshme të Radio Evropa e Lirë, VOX, japin mendime të ndryshme.
Fatjona Hyseni, studente në departamentin e Gjuhës Angleze në Universitetin e Prishtinës, thotë se ka dëgjuar se ka korrupsion duke filluar nga regjistrimi i studentëve.
“Ka korrupsion fillimisht për nota, pastaj për regjistrimin e studentëve, regjistrohen me të njohshëm. Për këtë dukuri kam dëgjuar përmes kolegëve dhe rrjeteve sociale”, thekson Fatjona.
Se korrupsioni ka përfshirë nivelin e lartë të arsimit, thotë edhe Agron Behrami, student në vitin dytë në Fakultetin Juridik.
Edhe ai thotë se ka raste kur studentët kanë kaluar provimin vetëm se ka pasur profesorin të njohur.
“E di që ka studentë që kanë kaluar provimin fare pa mësuar, pasi nepotizmi ekziston edhe në këtë sektor. Edhe unë kam pasur mundësi për një gjë të tillë, por nuk kam pranuar. Mendoj se dhënia e një provimi pa mësuar, fillimisht duket lehtësuese, por për të ardhmen është shumë problem”, thotë Agroni.
Besim Zeneli është student në vitin e parë në departamentin e Gjeografisë. Ai thotë se ka dëgjuar se ka korrupsion në Universitet, por që ai nuk është ballafaquar me këtë fenomen.
“Kam dëgjuar, por unë që nga tetori kur kam filluar ligjëratat nuk jam ballafaquar më të”, thekson Besimi.
Një student tjetër me emrin Besim, i cili nuk dëshiroi të bëjë publik mbiemrin dhe fakultetin ku studion për shkak të, siç thotë ai, të mundësisë së hakmarrjes nga profesorët, thotë se ka raste ku studentët marrin nota pa qenë fare në ligjërata dhe provim.
“Kam dëgjuar që një student nuk ka shkuar fare në fakultet por në fund ka marrë një notë kaluese”, tha ai.
Ndryshe, vitin e kaluar ka pasur disa arrestime dhe pezullime nga puna të disa profesorëve të Universitetit të Prishtinës për, siç thuhej, afera korruptive, për marrje të ryshfetit për regjistrimin e studenteve pa konkurs.
Ndërkaq, gjatë këtij viti ky institucion i lartë i arsimit është përballur me protesta të shumta të studentëve për keqmenaxhime, pastaj për dorëheqjen e rektorit Ibrahim Gashi, pas raportimeve se publikimet shkencore të tij janë publikuar në revista të dyshimta.
Kurse gjatë këtij muaji, protesta kanë organizuar shoqatat e dala nga lufta, duke kërkuar nga rektori i ri Ramadan Zejnullahu, të zbatojë një memorandum mirëkuptimi me të cilin parashihet regjistrimi me automatizëm i studentëve të kategorive të dala nga lufta.
Në anën tjetër, një grup studentësh kanë dalë në përkrahje të rektorit duke kërkuar moslejim të cenimit të autonomisë së UP-së.
Zhvillimet e fundit në UP, për studenten e Ekonomisë, Blerta Kastrati, kanë zbehur kredibilitetin e këtij institucioni.
“UP-ja ka humbur kredibilitetin për shkak të nivelit të korrupsionit. Studentët duhet të mos pranojnë që provimet t'i kalojnë me para. Mua personalisht askush nuk më ka kërkuar mjete materiale për ndonjë provim apo çështje të tjera", shprehet Blerta.
Edhe Agnesa Berisha, studente, thotë se UP-së i ka humbur "nami i dikurshëm".
“Në Universitetin e Prishtinës edhe asistentët vendosin për nota të studentëve. Kjo ka bërë që UP-ja mos të ketë namin e dikurshëm”, thotë Agnesa.
Sidoqoftë, ekspertë të arsimit, për Radion Evropa e Lirë më herët kanë thënë se korrupsioni në arsim reflektohet në të gjitha fushat e jetës dhe të punës, që në të ardhmen mund të shkaktojë edhe krizë institucionale.