Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet në kohën kur Serbia të njoh shtetin e Kosovës, është thënë të shtunën gjatë një debatin të organizuar në Prishtinë nga Këshilli për Qeverisje Gjithëpërfshirëse ndërmjet deputetëve të Kosovës dhe Serbisë.
Deputetët e të dyja vendeve kanë mbështetur dialogun dhe kanë kërkuar që edhe parlamentet të kenë rolin e vet në këtë proces. Por, pikëpamjet ishin të ndryshme tek çështja fundamentale, ajo e njohjes së Kosovës nga ana e Serbisë.
Ambasadorja zvicerane në Prishtinë, Christina Marti, ka thënë me këtë rast se vetëm përmes bisedimeve, Kosova dhe Serbia mund të arrijnë deri te normalizimi i marrëdhënieve në mënyrë që qytetarët e të dyja vendeve të përfitojnë nga ky proces.
"Ju keni një rol të rëndësishëm si parlamentar. Po ashtu ju mund të luani një rol edhe më të rëndësishëm duke krijuar një ambient të përshtatshëm për këtë dialog dhe normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë", ka thënë ambasadorja Marti.
Gjatë debatit, deputetët shqiptar të Kuvendit të Kosovës kryesisht kanë vënë theksin në çështjen e njohjes së Kosovës nga ana e Serbisë, si parakusht për normalizim dhe bashkëpunim ndër shtetëror. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Deda ka thënë me këtë rast se Serbia nuk mund të bëj më vetëm hapa simbolik, por duhet të njeh Kosovën si shtet .
"Realisht nuk mund të ketë bashkëpunim parlamentar mes Kosovës dhe Serbisë derisa nuk ka njohje të shtetësisë së Kosovës. Parlamenti i Kosovës bashkëpunon me parlamentet shteteve që e kanë njohur apo me ato të shteteve siç janë rastet e Sllovakisë e të Rumanisë ku nuk ka luftim të pavarësisë së Kosovës", ka thënë Deda.
"Kurse normalizimi i marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë do të ndodhë në momentin kur Serbia e njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës", ka deklaruar Deda.
Ndërkaq deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sadri Ferati, ka thënë se normalizimi dhe dialogu janë një proces dhe nuk mund të vendosen për një ditë. Sipas tij, ky proces duhet të jetë gjithëpërfshirës ku përveç politikës, duhet të ketë një bashkëpunim edhe ndërmjet shoqërisë civile.
"Dialogu është në interes të gjitha palëve dhe se ai krijon stabilitet në rajon", ka thënë Ferati.
Ndërkohë, deputet serb nga Kuvendi i Serbisë, kanë vënë theksin në dialog dhe normalizim, por jo edhe në nevojën e njohjes së Kosovës nga ana e Serbisë. Deputetja Partia Demokratike, Aida Çoroviq ka thënë se dialogu është forma e vetme që do të kthej shëndetin dhe normalitetin e marrëdhënieve në rajon.
"Dialogu duhet të zhvillohet çdo ditë dhe në çdo nivel në mënyrë që shoqëritë tona në hapësirat e ish-Jugosllavisë dhe gjithë Ballkanin të normalizohen", ka thënë deputetja Miletiq.
Edhe, Dejan Radenkoviq, deputet i Partisë Socialiste të Serbisë ka mbështetur vazhdimin e dialogut dhe normalizimit.
"Është më mirë të bisedohet 100 vjet sesa të luftohet një ditë", ka thënë Radenkoviq. Sipas tij, spekulimet që përmes dialogut po njihet pavarësia e Kosovës nga ana e Serbisë nuk qëndrojnë, pasi që rajoni duhet të stabilizohet dhe njerëzit të jetojnë më mirë në këto hapësira.
Pas një periudhe të gjatë të mos komunikimin, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë zhvillohet si në nivelin më të lartë politik ashtu edhe në atë të grupeve teknike të zbatimit të marrëveshjeve. Marrëveshja e 19 prillit e arritur në Bruksel ndërmjet Prishtinës e Beogradit, mbetet rezultati më i madh i këtij dialogu.
Përderisa vazhdojnë edhe iniciativa të tilla si kjo tryezë, ku kërkohet që bashkëpunimi të shtrihet edhe në rrafshin parlamentar.
Komuniteti ndërkombëtar deri më tani kryesisht ka kërkuar vendosje të dialogut Prishtinë - Beograd, por pa e kushtëzuar këtë proces me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë.