Ndërlidhjet

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, pa përkrahje institucionale


Ndërtimtarët
Ndërtimtarët

Përfaqësues të sektorit privat në Kosovë kanë kërkuar nga autoritetet e Kosovës që të marrin masa konkrete në fuqizimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Ata thonë se Kosovës i duhet një strategji e cila do të ofronte mbështetje për këto ndërmarrje.

Sipas tyre, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Kosovë kanë rolin kryesor në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik dhe rrjedhimisht në hapjen e vendeve të reja të punës.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se pavarësisht asaj që këto ndërmarrje janë bartëse të zhvillimin ekonomik, autoritetet e Kosovës nuk po iu ofrojnë atyre mbështetje të duhur.

“Në Kosovë më shumë se 95 për qind e kompanive ekzistuese janë të kategorisë të vogla dhe të mesme dhe këto komani pothuajse janë bartëse të zhvillimit ekonomik të shteteve, punësime të reja dhe njëkohësit prodhimtarisë që rrisë eksportin që ne kemi në raport me importet”, thekson Shahini.

Deficiti tregtar, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2013 arriti në mbi 2 miliardë euro.

Të gjithë bizneset prodhuese në Kosovë, tregon Shahini me çdo kusht tentojnë të marrin tregje të reja, por, siç thekson ai, mungesa e përkrahjes shtetërore me politika fiskale dhe financiare, ka bërë që këto ndërmarrje të jenë të ‘sulmuar’ nga importet e produkteve të kompanive të shteteve tjera.

Shtetet, të cilat sektorin ekonomik e kanë mbështetur në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, shton Shahini kanë pasur rritje ekonomike shumë të lartë dhe njihen si vende mjaft të zhvilluara.

“Duke eliminuar gjitha barrierat dhe pengesat që janë paraqitur tani dhe më herët do të mund të ketë zhvillim të sektorit privat. Nëse përmirësimi i politikave fiskale dhe financiare, mbrojta e prodhimtarisë vendore do të jenë në fokus të strategjisë së qeverisë së re, besoj që viti 2015 do të jetë shumë më i mirë se sa viti 2014”, shton ai .

Bizneset në Kosovë vazhdimisht kanë kërkuar nga institucionet shtetërore që t’i subvencionojnë në mënyra të ndryshme prodhuesit vendorë.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, vlerëson se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme nuk do të mund të inkuadrohen në familjen evropiane pa internacionalizim të ndërmarrësisë.

Sipas tij, me mbështetjen e prodhimtarisë përveç që përfiton biznesi, përfiton konsumatori me prodhime më cilësore dhe njëkohësisht do të ketë edhe ulje të shkallës së papunësisë.

“Sa më tepër që do të dëmtohet prodhimtaria kosovare, do të jetë e pamundur të krijohen vende të reja të punës, do të jetë e pamundur të arrihet stabilitet sociale, të përmirësohet indikatori kyç që është përmirësimi i bilancit të pagesave, dhe e tëra kjo do të dëmton Kosovën”, shprehet ai.

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Kosovë duhet të plotësojnë dhjetë fusha veprimi për t'u inkuadruar në Bashkimin Evropian. Ndryshe, disa nga kushtet, janë minimizimi dhe eliminimi i barrierave administrative, ulja e kostos dhe kohës së fillimit dhe vazhdimit të biznesit, tolerancë zero ndaj korrupsionit dhe abuzimit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG