Ndërlidhjet

Qytetarët e duan flamurin kombëtar


Në shkurt të vitin 2008, kur është shpallur pavarësia e Kosovës, Kuvendi dhe institucionet tjera për flamurin, stemën dhe himnin e Kosovës, qenë pajtuar që të mos jenë një-etnike, por më shumë të përmbajnë karakterin e simboleve që tregojnë orientimin e Kosovës si shtet pro-integrimeve euroatlantike.

Por, simbolet e Kosovës – pëlqimi apo kundërshtimi i tyre pas pavarësisë, vazhdojnë të jenë çështje të diskutimeve të ndryshme.

Flamuri kombëtar me shqiponjë, ngjyra kuq e zi dhe ai i Kosovës, i kaltër me hartën në mes dhe 6 yjet që simbolizojnë të gjitha komunitetet në vend, nga qytetarët trajtohen në mënyra të ndryshme.

Disa nga qytetarët thonë se janë shumë të lidhur me flamurin kombëtar dhe nuk mund ta krahasojnë me flamurin e Kosovës.

Në një anketë për Radion Evropa e Lirë, për festën e 28 Nëntorit, qytetarë japin mendimet e tyre lidhur me atë se a e duan më shumë flamurin kombëtar shqiptar apo flamurin e Kosovës.

Diellza Kryeziu, ekonomiste me profesion jep mendimin e saj.

“E duam flamurin kombëtar. E simbolizon tamam popullin tonë, dhe jemi rritur me të. Flamuri simbolizon për mua shpirtin nacionalist”.

Edhe Mirsad Fazliu, punëtor i sigurimit tregon se cili flamur ka më shumë vlerë për të.

“Flamurin kombëtar e dua më shumë. Jemi rritur me një frymë shqiptare dhe flamurin si simbol i shtetit e respektoj, por e dua flamurin kombëtar”.

Derisa Besa, 20 vjeçare thotë se fare nuk i pëlqen flamuri i Kosovës.

“E dua flamurin kombëtar shqiptar. E dua më shumë. Nuk më pëlqen flamuri i Kosovës”.

Suzana Gashi 24 vjeçare, e sapodiplomuar në Universitetin e Prishtinës, më e afërt ndjehet me flamurin kuq e zi.

“E dua flamurin kuq e zi, flamurin shqiptar kombëtar. Jemi mësuar me atë flamur. Jemi rritur me të. Sa i përket flamurit të Kosovës, respekt, por e dua më shumë flamurin kombëtar”.

Rina, 19 vjeçare, thotë se flamuri i Kosovës nuk i ngjallë ndjenja kombëtare.

“E dua flamurin kombëtar. Flamuri i Kosovës, kaltër, verdhë e bardhe nuk simbolizon për mua asgjë, flamuri kuq e zi më ngjallë ndjenjat kombëtare”.

Edhe Besim Kastrati e do më shumë flamurin kombëtar.

“Flamurin i Kosovës dhe flamurin kombëtar i dua. Por kam ndjenja për flamurin kuq e zi, sepse babë e gjysh janë rritur me atë flamur dhe e kanë dashur atë”.

Derisa Luan Lama, jurist me profesion, thotë se flamurin e Kosovës e respekton, derisa me zemër e do flamurin kombëtar shqiptar.

“E dua flamurin kombëtar shqiptar, flamurin e gjithë shqiptarëve. Flamurin e Kosovës e respektoj”.

Sidoqoftë, sociologët në vend thonë se simbolet shqiptare nuk shprehin vetëm një refleksion politik të organizimit shtetëror, por aty ka traditë, histori, emocion, ndalesa dhe mallëngjime.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG