Një rezolutë e Parlamentit Evropian, që është mbështetur sot nga të gjitha grupet kryesore politike, i ka dënuar aktivitetet e fundit të të akuzuarit serb për krime të luftës, Vojisllav Sheshel.
Në tekstin, i cili është miratuar, dënohet “luftënxitja e Sheshelit, nxitja e urrejtjes, inkurajimi i pretendimeve territoriale dhe përpjekjet e tij për zhvendosjen e Serbisë nga rruga evropiane”.
Mëtutje, theksohet se retorika e tij “i ka rihapur plagët psikologjike të viktimave të luftës dhe mizorive të viteve të 90-ta”.
Në rezolutën e miratuar nga Parlamenti Evropian kërkohet që Tribunali Ndërkombëtar për Krime të Luftës në Hagë të “ndërmarrë masa për rishqyrtimin e kushteve për lirim të përkohshëm nën rrethanat e reja”.
Më herët këtë muaj, Tribunali i Hagës e ka liruar Sheshelin për shkaqe shëndetësore, para se të marrë vendimin për procesin e zhvilluar kundër tij.