Ndërlidhjet

Kardiokirurgjia në QKUK, me vetëm një kardio-kirurg


Në klinikën e kardiokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës , është vetëm një kardio kirurg. Por edhe përkundër kësaj puna në këtë klinikë po vazhdon, kanë bërë të ditur zyrtarë shëndetësor.

Ministri në detyrë i shëndetësisë, Ferid Agani i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se kardio-kirurgë nga jashtë po e ndihmojnë këtë klinikë.

“Derisa të trajnojmë kardiokirurgët tanë e që janë pesë kandidatë në specializim të kësaj lëmie, dhe ne kemi lidhur një kontratë me qendrën spitalore të Tiranës dhe ekipi i kardiokirurgëve së bashku me personelin mbështetës gjatë dy javëve, çdo muaj për gjashtë muajt e ardhshme do të ofroj ndihmë në shërbimet e kardiokirurgjisë”, ka theksuar Agani.

Edhe përkundër mungesës së madhe të resurseve njerëzore në këtë klinikë, Ferid Agani ka bërë të ditur se janë në përpjekje që shërbimet të funksionalizohen 24 orë.

“Jemi në përpjekje e sipër të funksionalizojmë shërbimin 24 orësh në kardiologji invasive dhe kardiokirurgjisë. Janë vendosur shërbimet e gatishmërisë për rastet emergjente. Ajo që jemi duke bërë, paralel jemi duke e fuqizuar infrastrukturën, paisjet e nevojshme për një funksionalizim të plotë të këtij shërbimi, si në dimenzionin terapeutik dhe diagnnostik si dhe të zhvillojmë resurset njerëzore” ka shtuar Agani.

E kardiokirurgu i vetëm, njëherit drejtor i kësaj klinike Bekim Dula, nuk ka pranuar të flas për atë se me çfarë vështirësi po përballet kjo klinikë, marrë parasysh fluksin e madh të pacientëve me probleme në zemër.

Sidoqoftë deri tani janë kryer 54 intervenime kardiokirurgjike, prej funksionimit të kësaj klinike, derisa intervenimi I fundit në zemër ështëkryer para dy javësh, me ndihmën e një profesori San Donato.

Zëdhënësi i Qendrës Klinike Universitare, Shpend Fazliu, thotë se shërbimi i kardiokirurgjisë është njëra nga shërbimet më të reja që ofrohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, andaj sipas tij është e kuptueshme që çdo fillim ti ketë edhe vështirësitë e punës.

“Tash për tash kemi vetëm një kardiokirurg i cili njëherit është edhe drejtor i kësaj klinike. Por ka disa specializantë që janë në edukim të vazhdueshëm në kardiokirurgji. Ky shërbim punën e ka bazuar në bashkëpunimin ndërkombëtar që e kemi pasur me ekspertë të ndryshëm nga Shqipëria, Italia, SHBA-të, por edhe nga vendet e tjera që kanë ardhur dhe kanë kryer intervenime kardiokirurgjike”.

“Ekspertë nga Shqipëria do t’i kryejnë nga 8 intervenime për një muaj, por do të ketë edhe bashkëpunime tjera, në mënyrë që puna të vazhdojë 24 orë pa ndërprerë".

"Shërbimi në kardiokirurgji punon 24 orë,por operacionet kryehen vetëm me bashkëpunime të ndryshme që bëhen me institutcione jashtë vendit”, ka thënë Fazliu.

Sidoqoftë Kosova ka pasur tre kardokirurgë që kanë punuar në klinikën kardiokirurgjike, por këtë vit kardiokirurgu Raif Qavolli dhe Adem Gerbollar e kanë lëshuar punën në Qendrën Klinike Universitare, për të vazhduar punën e tyre në klinika private.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG