Ndërlidhjet

LDK pret deklarimin e PDK-së për postin e kryeministrit


Koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës mbetet ende një marrëveshje në letër që nuk ka sqaruar deri në fund, qoftë ndarjen e posteve apo edhe objektivat kryesore që do t'i kishte para vetes në synimin për të formuar qeverinë e re të Kosovës.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Lutfi Haziri ka deklaruar të hënën në Gjilan se LDK do ta ketë për vete postin e kryeministrit. Në të kundërtën, ai ka thënë se LDK do të kalonte në opozitë.

“LDK ka vetëm një emër, dhe ka vendim të këshillit të përgjithshëm, ai është emri i Isa Mustafës, i mundshëm për postin e kryeministrit, nëse zbatohet marrëveshja me parime, çdo lëvizje, çdo zhvendosje e atyre parimeve, atëherë LDK kalon në opozitë dhe iu urojmë atyre të bëjnë koalicion me këndë të munden ta bëjnë”, ka thënë Haziri.

Shumë më optimist për zbatimin e marrëveshjes dhe formimin e qeverisë së re është shprehur lideri i PDK-së, Hashim Thaçi.

Pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, Thaçi, ndonëse nuk ka sqaruar detaje të marrëveshjes së tij me Isa Mustafën, ka thënë se është i bindur që gjithçka do të shkojë sipas parashikimeve.

"Mund të them se gjithçka është duke shkuar sipas planit dhe agjendës së paraparë. Tani është duke u punuar për harmonizimin e programeve. Është një lehtësim i madh, pasi që si PDK ashtu edhe LDK janë parti të vlerave që përfaqësojnë interesat e qendrës së djathtë dhe ky është koalicion i shumicës së qytetarëve të Republikës së Kosovës", ka thënë Thaçi.

Ndërkohë, analisti i Institutit për Studime Juridike dhe Politike, Fisnik Korenica thotë se marrëveshja mes PDK-së dhe LDK-së nuk do të përmbyllet përderisa në kuadër të ndarjes së posteve të mos përfshihet edhe ai i presidentit të ardhshëm të Kosovës, që do ta pasojë presidenten aktuale Atifete Jahjaga.

Sipas tij, PDK insiston që të sigurohet nga LDK-ja se më 2016 do t'i merr votat e saj për këtë post.

"PDK-ja do të insistojë deri në fund që marrëveshja e bashkëqeverisjes të mos përmbyllet deri në atë moment kur asaj do t'i garantohet nga LDK-ja se do t'i ketë votat për pozitën e presidentit në fillim të vitit 2016. Këtu mendoj se ka mbetur e gjithë çështja, pasi që LDK konsideron se kjo duhet të jetë thjeshtë një marrëveshje për bashkëqeverisje", ka thënë Korenica.

Marrëveshja eventuale në pako për tri postet udhëheqëse të institucioneve të Kosovës, sipas të cilës, PDK do të merrte atë të kryetarit të Kuvendit dhe presidentit në vitin 2016, kurse LDK atë të kryeministrit, shihet me jo pak sfida për t'u realizuar.

Sidomos te çështja e presidentit, sipas Fisnik Korenicës, Thaçi dhe PDK do ta kenë të pasigurt që në vitin 2016, kur do t'i përfundojë mandati presidentes aktuale Atifete Jahjaga, faktori ndërkombëtar të mos kërkojë që sërish Kosova të ketë një president jo partiak.

"Në vitin 2016 nuk e ka askush të garantuar nëse do të ketë apo jo ndikim ndërkombëtar për një president jo partiak siç e kishim para 3 vitesh dhe po ashtu, PDK nuk do ta ketë të garantuar që më 2016 do t'i ketë votat e deputetëve të PDK-së për president, sepse deri në atë datë mund të ndryshojnë rrethanat përbrenda vet LDK-së", ka theksuar Kornica.

Marrëveshja për bashkëqeverisje ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, u nënshkrua nga kryetarët e këtyre subjekteve politike, Hashim Thaçi e Isa Mustafa, në prani të presidentes Atifete Jahjaga dhe ambasadores amerikane Tracey Ann Jacobson.

Me këtë marrëveshje besohet se po tejkalohet kriza prej pesë muajve për formimin e institucioneve të reja të Kosovës, të dala nga zgjedhjet e 8 qershorit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG