Ndërlidhjet

Dy të ardhme: Me ose pa marrëveshje me Iranin


Barack Obama dhe Hassan Rohani
Barack Obama dhe Hassan Rohani

Gjashtë fuqitë botërore dhe Irani po bëjnë përpjekje të arrijnë marrëveshje për programin bërthamor të Republikës Islamike, por njëlloj i rëndësishëm është si suksesi ashtu edhe dështimi i negociatave për marrëdhëniet e ardhshme të Perëndimit me Teheranin.

Marrëveshja mund të krijojë besim të mjaftueshëm për të riintegruar Iranin në ekonominë globale dhe për bashkëpunim të mjaftueshëm politik në lidhje me krizat në Lindjen e Mesme.

Por, mungesa e marrëveshjes – qoftë më 24 nëntor, qoftë pas afatit të zgjatur – mund të ripërtërijë bisedimet për bombardimin e objekteve bërthamore të Iranit dhe rrezikun e një krize më të madhe në rajon.

Sidoqoftë, marrëveshja do të ishte një shtytje e madhe për të moderuarit në Iran, të cilët duan të shohin rikthimin e vendit të tyre në komunitetin botëror.

“Premtimi më i madh që ka dhënë Hasan Rohani për t’u zgjedhur (president) në vitin 2013, ka qenë ideja se Irani ka nevojë për të rishikuar politikën e jashtme”, thotë Alex Vatanka, nga Instituti për Lindjen e Mesme, me seli në Uashington.

“Nëse ka marrëveshje, Rohani mund të thotë se kur bisedohet, edhe nëse nuk mund të keni sukses brenda natës, së paku mund të jeni në gjendje të bëni disa hapa shtesë drejt diçkaje që mund të duket si normalizim”, shton Vatanka.

Ngjashëm, marrëveshja mund t’i japë votën e besimit politikës së presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, për t’u marrë me Iranin, pavarësisht 35 vjetëve armiqësi, që kanë shpërthyer pas marrjes peng të Ambasadës së SHBA-së në Teheran, më 1979.

Edhe për Iranin, edhe për Perëndimin, përfitimet nga fundi i krizës bërthamore dhe heqja e sanksioneve ndërkombëtare për Teheranin, mund të jenë të mëdha.

Sanksionet kanë bërë që të bie në mënyrë dramatike kërkesa e botës për naftën e Iranit. Ai, tani, jo vetëm që do rritjen e eksportit përsëri, por ka nevojë edhe për investime dhe teknologji të Perëndimit, për të rigjallëruar industrinë e naftës dhe të gazit dhe për të ngritur standardet e jetesës.

Në të njëjtën kohë, shumë kompani perëndimore të energjisë duan të rikthehen me punë në Iran, ku ndodhen rezervat e katërta më të mëdha në botë të naftës së papërpunuar dhe rezervat e dyta më të mëdha të gazit natyror.

Edhe shumë biznese të tjera, që nuk kanë të bëjnë me naftën, e konsiderojnë Iranin si treg të madh të konsumit, pasi ka 80 milionë banorë.

Megjithatë, askush nuk pret që marrëveshja do të çojë në ndryshime të menjëhershme.

Edhe pas fundit të krizës bërthamore, heqja e sanksioneve perëndimore ka gjasa të jetë një proces gradual, sidomos për Shtetet e Bashkuara, ku Obama mund të pezullojë sanksionet e vendosura nga Kongresi, por nuk mund t’i heqë përgjithmonë ato pa votën e ligjvënësve, shumë nga të cilët e kundërshtojnë.

Edhe në Iran, po ashtu, përparimi mund të jetë gradual pasi politikanët e linjës së ashpër vazhdojnë t’iu rezistojnë ndryshimeve dramatike të marrëdhënieve të Iranit me Perëndimin.

Përtej ekonomisë, marrëveshja bërthamore mund të ndihmojë që Teherani dhe Uashingtoni të bashkëpunojnë hapur për së paku disa nga problemet në Lindjen e Mesme, sidomos për zmbrapsjen e militantëve të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri.

Në anën tjetër, çdo dështim për të arritur marrëveshjen jo vetëm se do të linte krizën bërthamore të pazgjidhur, por do të forconte opinionin edhe në Teheran, edhe në Uashington se secili duhet të marrë një qëndrim më të ashpër ndaj tjetrit.

“Dikush mund ta imagjinojë një skenar, sipas të cilit, Shtetet e Bashkuara do të vendosnin sanksione shumë, shumë të ashpra ndaj Iranit, që do të çonin në embargo totale të naftës. Pasojë e kësaj do të mund të ishte tërheqja e Iranit nga Marrëveshja e Mospërhapjes së Armëve Bërthamore, ose rritja e nivelit të pasurimit të uraniumit mbi 20 për qind, ose përjashtimi i inspektorëve të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, ose disçka që vërtet mund të shkaktojë një lloj të konfrontimit ushtarak”, thotë Ali Vaez, nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave.

Deri më sot, Irani ka qenë i kujdesshëm dhe ka respektuar vijën e kuqe të Izraelit për aksione ushtarake, duke pasuruar uranium nën nivelin e nevojshëm për të prodhuar armë bërthamore.

Megjithatë, është e pasigurt nëse Izraeli, aleat i afërt i Shteteve të Bashkuara, do të jetë i gatshëm për të sulmuar Iranin, pavarësisht se grupet militante, të lidhura me Republikën Islamike, mund të godasin Izraelin.

“Nëse Irani sulmohet nga Izraeli, do të keni një luftë asimetrike, jo domosdoshmërisht pse Irani e drejton atë, por grupet do të ngrihen. Hezbollahu do të dalë kundër Izraelit, Hamasi si dhe Xhihadi Islamik”, thotë Scott Lucas, specialist për Iranin në Universitetin Birmingham në Britani.

Ai parashikon se Izraeli nuk do t’i nisë sulmet ushtarake për këtë arsye dhe për shkak se Uashingtoni do të argumentojë se mënyra më e mirë për të ndryshuar drejtimin e Iranit, janë sanksionet më të fuqishme kundër tij.

Se ku mund të çojnë sanksionet më të ashpra, është një çështje e hapur.

Mbështetësit do të argumentojnë se ato përfundimisht mund të detyrojnë ndryshimin e regjimit, ndërsa skeptikët do të thonë se teokracia e Iranit do të jetë në gjendje të përfitojë nga ndjenja nacionaliste e popullsisë dhe t’i mbijetojë presionit.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG