Kriza politike në vend po fuqizon korrupsionin, burokracinë dhe ekonominë joligjore, thonë përfaqësues të komunitet të biznesit, sipas të cilëve ky lloj i e ekonomisë është bërë pjesë e shoqërisë dhe komunitetit të biznesit.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se në këtë situatë mungesa e përgjegjësisë individuale dhe institucionale ndikon në rritjen e ekonomisë se paligjshme, sidomos nëpjesën veriore të Kosovës.
“Besoj që ky duhet të jetë një shkas shtesë që të kemi institucionet tona dhe vërtet kur të bisedohet për ekonominë atëherë lufta e informalitetit të jetë një prioritet i prioriteteve krahas zhvillimit ekonomik, sepse në formë verbale nuk mund të arrihen efektet e dëshiruara”, tha Gërxhaliu.
Niveli i lartë i kësaj dukurie, sipas Gërxhaliut krijon pabarazi në tregun vendor, po dëmton buxhetin e Kosovës dhe njëherësh po krijon imazh negativ para investitorëve të huaj.Dhe e tëra kjo, sipas tij, obligon që të bëhet një sundim i rendit dhe ligjit në mënyrë që të ketë përmirësim në këtë rrafsh.
Në anën tjetër zyrtarë të Doganave të Kosovës, thonë se nuk është vërejtur ndonjë rritje e nivelit të ekonomisë joligjore, për shkak të ngërçit politik.
Adriatik Stavileci, zëdhënës në këtë institucion, për Radion Evropa e Lirë, pohon se gjatë kësaj periudhe ka pasur rritje të hyrave doganore çka edhe dëshmon uljen e ekonomisë jo formale.
Por, megjithatë, sipas tij, gjatë këtij viti është vërejtur rritja e rasteve të nënvlerësimit të mallrave që hyjnë në Kosovë.
“Faktikisht që një mall i caktuar të mos deklarohet më faturën reale më të cilën është blerë nga eksportuesi nga një vend tjetër. Me të vetmin qëllim që të paguhet më pak taksë. Do të thotë këto raste kanë rritje. Sa i përket çështjes se Mitrovicës kemi rënie të numrit të kontrabandës, gjithashtu ka edhe rritje të te hyrave . Do të ishte e pamundur që të kemi edhe rritje të të hyrave dhe rritjen e kontrabandës”, tha Stavileci.
Ndryshe artikujt më “atraktiv” për kontrabanduesit edhe gjatë këtij viti mbesin medikamentet, cigaret, karburantet( nafta, benzina) stoli ari, telefonat celular, pije jo alkoolike, alkoolike, tekstili, veshmbathje e të tjera.
Zyrtarë të qeverisë ndërkaq thonë se lufta kundër ekonomisë jo formale është një ndër prioritetet e Qeverisë se Republikës se Kosovës, pasi suksesi kundër kësaj dukurie siguron ambient të favorshëm për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social.
Gëzim Baxhaku, këshilltar për media i ministrit në largim të Financave , Besim Beqaj, në një përgjigjeje për mes postës elektronike ka thënë se qeveria e Republikës seKosovës në vazhdimësi ka ndërmarr dhe ndërmerr veprime për luftimin dhe parandalimin e ekonomisë joligjore.
Duke përforcuar dhe avancuar në këtë mënyrë, sipas tij, funksionimin e institucioneve përgjegjëse që përfshinë edhe futjen nën kontroll të dy pikave doganore në veri, pajisjen e bizneseve me arka fiskale, veprime këto që kanë rezultuar edhe në ngritje të vazhdueshme të hyrave direkt dhe indirekte.
Ndërkaq, një studim i fundit për shkallën e ekonomisë joformale, realizuar nga Qendra për Hulumtime Strategjike e Sociale - STRAS, thuhet se në vitin e kaluar ekonomia joligjore ka kaluar 40 për qind, apo thënë ndryshe “ gllabëron “ një buxhet të tërë .