Ndërlidhjet

Presidentja Jahjaga kërkon veprim të shpejtë nga liderët politikë


Presidentja e Kosovës
Presidentja e Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka kërkuar nga liderët e partive politike parlamentare të veprojnë “shpejt për ndërtimin e institucioneve, konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe formimin e qeverisë së re”.

Në një komunikatë për shtyp, zonja Jahjaga thotë të ketë takuar gjatë ditës së sotme kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, dhe të ketë zhvilluar një bisedë telefonike me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Kam kërkuar nga tre liderët, ashtu siç kërkoj edhe nga të gjithë liderët e tjerë partiakë, të tregojnë pjekuri politike dhe, duke lënë anash mospajtimet ndërmjet tyre dhe interesat e ngushta, të veprojnë shpejt për ndërtimin e institucioneve, konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re”, citohet të ketë thënë presidentja.

Duke nënvizuar domosdonë e të dëshmuarit të përkushtimit për ndërtimin e shtetit të së drejtës, duke respektuar kuadrin tonë kushtetues, presidentja gjithashtu ka shprehur përkushtimin e saj që "duke garantuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë në vend, të zbatojë në përpikëri vendimet e Gjykatës Kushtetuese".

Ajo ka porositur gjithashtu se duhet garantuar se "me institucionet e reja do të përmbushet çdo detyrim ndaj qytetarëve dhe gjithashtu obligimet ndaj bashkësisë ndërkombëtare, partneriteti me të cilën është jetik për vendin".

Paritë kryesore politike në Kosovë, që nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme më 8 qershor, nuk kanë arritur marrëveshje për ndërtimin e institucioneve të Kosovës.

Fituese në këto zgjedhje doli PDK, por pa vota të mjaftueshme të formojë e vetme qeverinë.

Partitë politike në opozitë ndërkaq, LDK, AAK dhe Nisma, me mbështetjen edhe të Lëvizjes Vetëvendosje, formuan një koalicion pas-zgjedhor, me të vetmin synim, siç thonin, për të parandaluar formimin e edhe një qeverie tjetër nën udhëheqjen e PDK-së.

I gjithë procesi i ndërtimit të institucioneve është karakterizuar me disa interpretime nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, për të adresuar paqartësitë se kush e ka të drejtën e formimit të qeverisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG