Ndërlidhjet

Mbijetesa e bizneseve, pas regjistrimit


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Kosova ka shënuar progres në raportet e Bankës Botërore në fushën e të “e bërit biznes” ku ka të bëjë me regjistrimin e bizneseve.

Sa i përket indikatorit “ fillimi i biznesit”, Kosova ka bërë një ngritje nga vendi i 100- të, ku ka qenë vitin e kaluar, duke u ranguar në vendin e 42-të.

Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë disa herë kanë deklaruar se kanë bërë reforma në të bërit biznes dhe se janë thjeshtuar procedurat e regjistrimit të biznesit. Tashmë bizneset regjistrohen pa pagesë dhe brenda afatit të shkurtë.

Një ditë, është afati për biznese individuale dhe tre ditë për biznese të shoqërisë aksionare.

Por, përfaqësues të komunitetit të biznesit, konsiderojnë se në Kosovë është lehtë vetëm regjistrimi i biznesit por jo edhe mbijetesa e bizneseve në faza të zhvillimit.

Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se vetëm regjistrimi si hap administrativ nuk është i mjaftueshëm- bizneset thotë ai, duhet të sigurohen dhe zhvillohen normalisht edhe pas regjistrimit.

“Në kuptim të përgjithshëm është diskutuar kjo çështje duke pasur parasysh se shumë biznese të reja e kanë të vështirë të mbijetojnë në treg edhe nga konkurrenca jo legale por edhe nga vështirësitë në qasje në financa. Pikërisht këto dy kategori të problemeve janë ato që e pengojnë më tutje zhvillimin e bizneseve të reja në treg", ka thënë Rukiqi.

Është vendim i mirë lehtësimi i procedurave për regjistrimin e bizneseve nga autoritetet kompetente, por më e rëndësishme për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik është krijimi i ambientit për një qëndrueshmëri dhe stabilitet për ndërmarrësit e rinj, ka thënë Agron Demi, nga Instituti për Studime të Avancuara “GAP” .

“Ne shumë pak po i kushtojmë rëndësi themelimit të bizneseve, si ti mbajmë të qëndrueshme bizneset. Ka vende që hapja e një biznesi gati gjashtë-fish më shumë merr kohë për regjistrimin e biznesit se në Kosovë, një nga to është Koreja Jugore. Mirëpo kur të kalohen të gjitha këto procedura, pastaj biznesi është shumë më i qëndrueshëm”, tha Demi .

Për këtë arsye Demi pohon se në Kosovë mbi 90 për qind e bizneseve janë biznese të vogla ku punësohen deri në 3 punëtorë.

“Është shumë mirë që është liberalizuar tregu dhe iu ka dhënë mundësia që gjithsecili biznes të regjistrohet dhe të provojë mbijetesën në treg. Por, ajo çka mungon si shtet nuk është krijuar mjaft në orientimin e bizneseve të reja që të tregohet se në cilat fusha ka mundësi të zhvillimit të biznesit. Kosova ende nuk ka një Strategji të përgjithshme të zhvillimit ekonomik”, shprehet Demi për Radion Evropa e Lirë.

Raporti i Bankës Botërore “Të bërit biznes” për vitin 2015 e ka ranguar Kosovën në pozitën 75 nga pozita e 86 sa ka qenë vitin e kaluar. .

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG