Ndërlidhjet

Blloku tërhiqet me kusht nga posti i kryetarit të Kuvendit


Kosovo - Opposition parties leaders
Kosovo - Opposition parties leaders

Liderët e partive të koalicionit pas zgjedhor kanë marrë vendim që të heqin dorë nga pretendimi për postin e kryetarit të Kuvendit. Vendimin për heqje dorë nga ky post e ka konfirmuar lideri i partisë Nisma, Fatmir Limaj pas takimit të përbashkët që zhvilluan partitë partnere.

Por, tërheqja e bllokut nga posti i kryetarit të Kuvendit, është transmetuar si i kushtëzuar me kërkesën që liderët e partive të koalicionit i kanë parashtruar Presidentes Atifete Jahjaga. Ata kanë kërkuar që tërheqja e tyre nga posti i kryetarit të Kuvendit të këmbehet me garancitë e Presidentes që ajo më pas t'i jap mandatin kandidatit të këtij blloku për mandatar për formimin e qeverisë.

Tërheqjen e bllokut nga posti i kryetarit të Kuvendit, e ka bërë publik para mediave, lideri i partisë Nisma, Fatmir Limaj.

"Koalicioni është i gatshëm, në respekt të institucioneve, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në këtë vend që kryetarin e Kuvendit të dhënë nga Gjykata Kushtetuese ta votoj propozimin e subjektit (PDK-së) që ia ka dhënë Gjykata Kushtetuese, natyrisht me propozim zgjidhjen që i është dhënë presidentes që hapë rrugë dhe garanton që shumica të qeverisë me vendin", ka deklaruar Limaj.

Blloku i përbërë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma dhe Vetëvendosje ka marrë këtë vendim në pamundësi të kundërshtimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese përmes së cilit ishte interpretuar se posti i kryetarit të Kuvendit i takon partisë fituese të zgjedhjeve, që në këtë rast nënkupton Partinë Demokratike të Kosovës.

Por, lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka shkruar se nuk ka më kohë për eksperimente amatoreske politike. Veprimin e Bllokut, Thaçi e nuk e ka cilësuar si fillim të daljes nga kriza.

"Tani ka dy opsione të vetme që duhet marrë në konsideratë seriozisht dhe shpejt. Opsioni i parë dhe më i mirë është që të ulemi bashkë ashtu siç ka kërkuar edhe Presidentja e Kosovës dhe të gjejmë zgjidhjen më të mirë për vendin dhe qytetarët tanë të lodhur nga pritja. Ndërsa, opsioni i dytë është që të ulemi përsëri bashkë dhe të vendosim se kur të caktojmë datën për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme", ka shkruar Thaçi.

Lëvizja e fundit e bllokut, mund të implikoj edhe në marrëveshjen e brendshme që kanë lidhur këto parti politike e cila i ndante LDK-së postin e kryetarit të Kuvendit, kurse AAK-së atë të kryeministrit. Tani, mbetet të shihet nëse LDK do të kthehet kah pretendimi për kryeministrin. Por, ndryshimi i marrëveshjes së koalicionit nuk është konfirmuar nga ana e Limajt.

“Ju siguroj që koalicioni është shumë i fuqishëm, është unik, por kjo çështje është e brendshme, është çështje e jonë e brendshme. Por ajo që ju siguroj, koalicioni është unik dhe do ta krijoj qeverinë e shumicës dhe institucione legjitime”, ka thënë Limaj.

Analisti politik, Artan Muhaxhiri konsideron se tërheqja nga posti i kryetarit të Kuvendit i jep mundësinë bllokut që pas konstituimit të Kuvendit të provoj edhe formimin e qeverisë së ardhshme.

"Fillimi i zgjidhjes së ngërçit politik është nëse blloku heq dorë nga kryeparlamentari dhe më pastaj. Pasi që t'ia dëshmoj presidentes se e ka shumicën e deputetëve të procedoj me zgjedhjen e kryeministrit dhe kabinetit qeveritar", ka thënë Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.

Sidoqoftë, pritjet tani janë që ditët në vijim të shihet se cili do të jetë reagimi i presidentes Atifete Jahjaga. Blloku kërkon thirrjen e seancës së Kuvendit dhe të drejtën për formimin e qeverisë. Kurse PDK, nuk po pajtohet të kaloj në opozitë dhe insiston që të ketë marrëveshje edhe me të për formimin e qeverisë apo zgjedhje të reja.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG