Ndërlidhjet

Kush është kush në politikën e jashtme amerikane?


Republikanët kanë marrë kontrollin e Senatit të Shteteve të Bashkuara për herë të parë në tetë vite, duke zënë të paktën shtatë ulëse, në zgjedhjet për Kongres të mbajtura më 4 nëntor.

Ky ndryshim do të thotë që Republikanët do të kontrollojnë tre komitetet kryesore të Senatit, që kanë të bëjnë me politikat e jashtme të Shteteve të Bashkuara dhe ato të sigurisë kombëtare: marrëdhëniet e jashtme, forcat e armatosura dhe të inteligjencës.

Këtu është ajo se çfarë mund të sjellë ky ndryshim në muajt e ardhshëm.

Marrëdhëniet e jashtme

Anëtari i ranguar Bob Corker (Republikan-Tennessee) pritet të marrë pozitën përsipër duke zëvendësuar Bob Menendez (Demokrat-New Jersey).

Corker dhe Menendez, që thuhet se kanë një marrëdhënie të mirë të bashkëpunimit, në shumicën e rasteve janë pajtuar, se sa që kanë kundërshtuar në cështjet e politikave të jashtme.

Të dy kanë bashkë-sponsorizuar një projekt-ligj që ka dalur njëzëri nga Komiteti i Marrëdhënieve të Jashtme të Senatit, e që ka mundur të sjellë më shumë sanksione për Rusinë dhe ndihmë ushtarake dhe jo-ushtarake për Ukrainën.

Ata po ashtu kanë bashkë-sponsorizuar një projekt-ligj për armatimin e rebelëve sirian dhe vendosjen e sanksioneve në shitjen e armëve dhe naftës ndaj regjimit të presidentit të Sirisë, Bashar al-Asadit.

Menendez dhe Corker kanë thënë se Kongresi duhet të autorizojë kampanjën e administratës së Barack Obamës, kundër militantëve të Shtetit Islamik (IS) në Irak dhe Siri.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, ka thënë më 5 nëntor se ai do të mund "të angazhohej" me Kongresin lidhur me këtë çështje.

Corker në muajin korrik ka paraqitur legjislacionin për programin nuklear në Iran, dukë kërkuar rishikim nga Kongresi për ndonjë marrëveshje me Iranin brenda tre ditëve të arritjes.

Ai ka kundërshtuar çdo shtyrje pas 24 nëntorit, si afat i fundit për Iranin dhe Perëndimin për arritje të marrëveshjes.

Administrata e Obamës, megjithatë, thuhet se ka vendosur të tentojë t'i shmanget Kongresit dhe të pezullojë sanksionet nëse marrëveshja është e sigurt. Nëse kjo marrëveshje del në pah, do të mund të sjellë një konfrontim madhor në mes të administratës dhe Kongresit.

Në dëgjimet e Senatit, Corker ka pyetur ashpër Sekretarin e Shteteve të Bashkuara John Kerry, lidhur me strategjinë e administratës kundër militantëve të Shtetit Islamik.

Menendez ka fituar lëvdata nga grupet Armeniano-Amerikane, për shkak të mbështetjes së tij për njohjen formale të Shteteve të Bashkuara ndaj masakrës së armenianëve, nga forcat otomane gjatë gjenocidit të Luftës së Parë Botërore.

Në anën tjetër Corker ka votuar kundër rezolutës së 2014-s, që u prezantua nga Menendez në përkujtim të masakrës dhe kritikave ndaj Turqisë për mos-pranimin e zhvillimit të gjenocidit.

Forcat e Armatosura

Senatori John McCain (Republikan-Arizona) pritet të emërohet Kryetar i Komitetit të Forcave të Armatosura, përderisa senatori Jim Inhofe (Republikan-Oklahoma), pritet të marrë pozitën e Kryesuesit të Komitetit të Mjedisit dhe Punëve Publike.

McCain është avokat i fortë i intervenimeve ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe ndjekës kritik i politikave të jashtme të Obamas në Ukrainë, Siri, Irak dhe vendeve të tjera.

Kryetari aktual Carl Levin (Demokrat-Michigan), që është në pension, ka prishur marrëdhëniet me administratën e Obamës duke bërë thirrje për ndihmë ndaj mbrojtjes ushtarake të Ukrainës, por që nuk është i zëshëm në kritika aq sa McCain.

Gjatë seancave dëgjimore të Senatit, McCain i ka "futur në siklet" zyrtarët e Pentagonit, sidomos gjatë shtatorit, duke bërë presion ndaj Sekretarit të Mbrojtjes Chuck Hagel dhe Shefit të Shtabit Martin Dempsey, në atë se a do t'i mbështeste dhe trajnonte Washingtoni forcat opozitare të Sirisë, në rast se ata sulmohen nga forcat e al-Asadit.

McCain, i cili e akuzon Presidentin Rus, Vladimir Putin se udhëheq " me korrupsion, shtypje dhe dhunë", mundet po ashtu të konfrontojë zyrtarët me atë që ai e quan të dobët, ndihmën e jashtme që SHBA-të i ofrojnë Ukrainës dhe se administrata e Obamas ka pasur qëndrim jo fort të mjaftueshëm ndaj Rusisë.

Shërbimi Intelegjent

Me anëtarin e rangut Saxby Chambliss (Republikan-Georgia,i dyti në rend pas zyrtarit të lartë në Kongres), tashmë në pension, udhëheqja kalon tek Richard Burr (Republikan-Karolina Veriore), i cili është po ashtu anëtar rangu në Komitetin e çështjeve të veteranëve.

Nëse Burr vendos të mbetet me çështjet e veteranëve, pozita do të kalojë te Senatori James Risch (Republikan-Idaho).

Burr është një mbrojtës i pa lëkundshëm i CIA-s, ku kryetarja në largim Dianne Feinstein (Demokrate - California), ka akuzuar agjencionin për spiunazh në Senat.

"Dianne mund të ketë probleme me këtë, por unë mendoj se ne kemi mbajtur llogari për atë çfarë ka ndodhur", ka thënë ai për çështjen e "spiunazhit" të CIA-s në Kongres, sipas "Politico".

Ai po ashtu i ka mbrojtur si fshehtësi të madhe çështjet e Komitetit të Inteligjencës, të cilat tashmë janë të ruajtura shumë sigurt.

"Personalisht unë nuk besoj që gjithçka që ndodhë në Komitetin e Inteligjencës, duhet të diskutohet në formë publike", ka thënë ai për gazetarët në muajin mars.

"Sigurisht informacionet e klasifikuara - është thyerje e ligjit të diskutohet për to. Nëse unë do të kisha drejtimin tim, me përjashtim të të nominuarve, kurrë nuk do të kishte seancë dëgjimore të inteligjencës".

Kanë ekzistuar disa spekulime që Burr ka mundur të anuloj lansimin e raportit të Feinstein për torturën që ka përdorur CIA, por Demokrati nga Kalifornia ka edhe dy muaj kohë të publikojë dokumentin para se ajo të jep dorëheqje.

Përgatiti: Flandra Marmullaku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG