Ndërlidhjet

PE kërkon rezultate të shpejta në rastin "EULEX"


Ilustrim
Ilustrim

Kryesuesi i Komitetit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Evropian, Elmar Brok dhe zëvendës presidentja e këtij Parlamenti dhe raportuesja e tij për Kosovën, Ulrike Lunaçek, kanë mirëpritur vendimin e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, për të emëruar një hetues të pavarur, në rastin e dyshimeve për afera korruptive në misionin evropian për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX.

Që të dy kanë nënvizuar ndërkaq domosdonë e rezultateve të shpejta dhe efektive.

Në një komunikatë të përbashkët, Brok dhe Lunaçek, thonë se “emërimi i hetuesit të pavarur ligjor është vetëm hapi i parë”.

“E nënvizojmë se është shumë e rëndësishme të hidhet dritë menjëherë mbi të gjitha dyshimet për korrupsion dhe mbi hetimet e brendshme që janë zhvilluar në fshehtësi”.

“Ne besojmë se EULEX-i ka luajtur dhe ende luan një rol të rëndësishëm në Kosovë. Kjo është arsyeja ose dyshimet duhet të analizohen menjëherë dhe në mënyrë transparente, për të përcaktuar qartë se çfarë ka ndodhur”, thuhet mes tjerash në komunikatën e përbashkët Brok – Lunaçek.

Që të dy kanë lënë mundësinë hapur për të marrë në shqyrtim metoda të ndryshme parlamentare për hetim, duke përfshirë këtu edhe krijimin e një komiteti hetues, pasi ta ketë kthyer përgjigjen Përfaqësuesja e Lartë e BE-së.

Gazeta “Koha Ditore” në Prishtinë ka publikuar një sërë shkrimesh që flasin për përfshirjen e dyshuar të pjesëtarëve të këtij misioni në vepra korruptive, e për të cilat EULEX ka pohuar se ka nisur procesin e hetimeve qysh në vitin 2013.

Në qendër të këtyre shkrimeve është prokurorja e EULEX-it, Maria Bamieh, e cila është pezulluar nga puna, para se të botoheshin shkrimet në gazetë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG