Ndërlidhjet

Republikanët fitojnë Senatin


Ilustrim
Ilustrim

Republikanët kanë fituar shumicën në Senatin e Shteteve të Bashkuara, duke mposhtur Demokratët e presidentit Barack Obama në së paku shtatë shtete kryesore. Ata po ashtu kanë forcuar kontrollin në Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet e 4 nëntorit.

Në këtë mënyrë, republikanët tani kontrollojnë të dyja dhomat e Kongresit, për herë të parë që nga zgjedhjet e vitit 2006.

Demokratët, në anën tjetër, kanë humbur edhe disa gara për guvernatorë, ndërsa Republikanët kanë mbetur në krye të shteteve më të populluara, përfshirë Floridën, Miçigenin dhe Ohajon, dhe kanë pësuar disfatë në bastionet tradicionale demokrate, si: Merliend, Masaçusets dhe Illinois.

Humbja e shumicës në Dhomën e Lartë të Kongresit amerikan do të kufizojë ndikimin politik të Obamës dhe do ta bëjë të vështirë për të që të miratojë ligje gjatë dy vjetëve të mbetur të mandatit.

Por, Republikanët, të cilët janë kritikuar për mbylljen e qeverisë për shkak të mospajtimeve buxhetore një vit më parë, mund të jenë nën presion para zgjedhjeve presidenciale të 2016-ës. Ata shpresojnë të marrin Shtëpinë e Bardhë, pas tetë vjetësh udhëheqje nga Obama.

Partia Republikane e ka pasur të nevojshme të fitojë së paku gjashtë ulëse të mbajtura nga Demokratët për të fituar kontrollin e Senatit 100-anëtarësh.

Udhëheqësi republikan i Senatit, Mitch McConnell, do të zëvendësojë demokratin Harry Reid, si udhëheqës i shumicës në Senat, nga muaji janar kur edhe do të mblidhet Kongresi i ri.

Reid ka qenë aleat i rëndësishëm i Obamës dhe i ka ndihmuar atij në reformën shëndetësore, e cila është një nga arritjet kryesore të presidentit nëpërmjet Senatit. Reid i ka uruar fitoren McConnellit dhe ka thënë se votuesit duan që të dyja partitë të punojnë së bashku.

“Do të punoj me senatorin McConnell për klasën e mesme”, ka thënë Reid.

Në fjalimin e tij pas fitores, McConnell ka thënë se është koha për Shtetet e Bashkuara “që të shkojnë në një drejtim të ri”, por ka shtuar se partitë do të punojnë së bashku në çështjet ku ka pajtim.

Analistët politikë thonë se Kongresi, i kontrolluar nga Republikanët, do të jetë një acarim i situatës për Obamën, i cili nuk mund të garojë për mandatin e tretë në vitin 2016.

Por, mbetet e paqartë se sa do të ndryshojë qeveria.Obama ka fuqinë e vetos ndaj legjislacionit dhe Demokratët e Senatit mund të përdorin obstruksionet për të penguar nismat e Republikanëve – ashtu siç kanë bërë Republikanët me Demokratët për vite të tëra.

Votuesit në mbarë Shtetet e Bashkuara kanë votuar për 36 nga 100 anëtarët e Senatit, për të 435 anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe për guvernatorët e 36 shteteve.

Në vazhdën e këtyre zhvillimeve, zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Jen Psaki, ka thënë se diplomatët e Shteteve të Bashkuara bashkëpunojnë njësoj me këdo që kontrollon Kongresin.

“Departamenti i Shtetit është një ndërtesë jopartiake, ku punojmë edhe me Demokratë, edhe me Republikanë”, ka thënë Psaki.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG