Ndërlidhjet

Rusia i përkujtoi krimet e represionit të Stalinit


Moskë
Moskë

Derisa aktivistët në Rusi këtë javë i kanë përkujtuar dhjetëra-mijëra njerëz, që ishin ekzekutuar gjatë Terrorit të Madh të liderit të atëhershëm sovjetik, Josef Stalin, hulumtimet e reja të opinionit tregojnë se 50% e rusëve të anketuar, besojnë se ata mund të shohin represione të tilla politike përsëri gjatë jetë së tyre.

Megjithatë, një numër në rritje i njerëzve beson se shumë “negativisht flitet” për sundimin e Stalinit.

Më 29 tetor, qindra rusë janë tubuar afër selisë së ish GB-së në Moskë, për ritualin vjetor të përkujtimit të dhjetëra-mijëra njerëzve, që ishin ekzekutuar gjatë Terrorit të Madh të liderit sovjetik, Josef Stalin.

Për secilën viktimë janë thënë pak fjalë, emri, mosha, profesioni dhe data kur ata janë vrarë, zakonisht nga të shtënat në kokë.

Ndonjëherë, folësit nuk kishin ndonjë lidhje familjare me viktimën, emrin e të cilit e lexonin.Por, ka pasur edhe raste kur emrat i lexonin edhe më të afërmit e viktimave.

Avramov, Roman Petroviq, 56 vjeçar, babai im. I vrarë më 8 janar 1938. Pas disa muajsh ata e arrestuan nënën time, Avramova, Faina Avramovna. Ajo i kaloi tetë vjet në kampin e punës Karaganda. Unë ish pesë vjeçar ”, tha një person për prindërit e tij.

Ky ritual është i thjeshtë, por vënia në skenë paraqet reflektim të shtrirjes së gjerë të spastrimeve të periudhës së Stalinit, kur pjesëtarët e të gjitha kombeve, profesioneve dhe pikëpamjeve politike, ishin subjekt i arrestimeve, dënimeve dhe ekzekutimeve masive, shpeshherë me pretekst politik jo bindës.

Përkujtimi njëditësh, i përgatitur nga organizata për të drejtat e njeriut, Memorial, u bë në periudhën kur hulumtimet e opinionit tregojnë se shumë rusë presin të shohin një valë të re të represioneve të ngjashme në të ardhmen.

Ky hulumtim i kryer nga Fondacioni për Opinionin Publik (FOM), me orientim për Kremlinin, indikon se 48% e rusëve të anketuar, thanë se ekzistojnë gjasë që ata do të përjetojnë ta shohin përsëritjen e represioneve të stilit sovjetik.

Një përgjigje e tillë mund të shihet si reflektim i shqetësimit në rritje për sundimin autoritar të presidentit, Vladimir Putin.

Por, sociologu, Leonty Buzov, tha për “Kommersant.ru”, se shumë rusë e mirëpresin represionin si “jo vetëm të mundshëm, por të domosdoshëm”.

“Ata janë të gatshëm të ndërmarrin masa strikte kundër zyrtarëve të korruptuar ose ndaj secilit që e çrregullon rendin publik”, tha Buzov, duke shtuar se “populli e favorizon shtypjen e armiqve”, ka shtuar Buzov.

Hulumtimi i FOM-it indikon se dy të tretat e rusëve besojnë se “represionet masive politike” kanë ndodhur në vitet e 30-ta, në Bashkimin Sovjetik dhe pjesa më e madhe për këtë e fajëson Stalinin, qarqet e tij të afërta, policinë sekrete NKVD, ose kombinimin e krijuar prej tyre.

15% të të anketuarve thanë se askush nuk mund të jetë përfundimisht përgjegjës për spastrime, pasi që “të tilla ishin kohët”.

FOM thekson se 33% e rusëve tash beson se mediet “flasin shumë për represionet politike”, një konstatim që është përmendur prej vitit 2012.

Aleksandar Cherkasov, shef i Qendrës për të drejtat e njeriut në Memorial, i tha Radios Evropa e Lirë se interesimi publik për të drejtat e njeriut zbehet në kohën kur nevojitet më së shumti.

“Në një pikë në historinë tonë, solidariteti me të burgosurit politikë ishte bazë e lëvizjes disidente dhe opozitë morale ndaj autoritetit në Bashkimin Sovjetik. Nëse qëllim i shtetit është ndarja e shoqërisë dhe likuidimi i aktivitetit të pavarur dhe organizatave të pavarura publike, atëherë solidariteti me ata nën presion duhet të jetë gjëja më e rëndësishme”, tha Aleksandar Cherkasov.

Organizata Memorial nga autoritetet kërcënohet me mbyllje, për shkak të dyshimeve për shkelje procedurale.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG