Vdekshmëria nga aksidenti vaskular trunor ose siç njihet në gjuhën popullore “pika në tru”, vazhdon të jetë njëra prej shkaqeve kryesore për vdekjen e pacientëve me probleme neurologjike.
Në Klinikën e Neurologjisë gjatë vitit 2013, kanë qenë të hospitalizuar 1115 raste të pacientëve me këtë sëmundje, prej te cilëve 228 kanë përfunduar me vdekje.
Nexhmedin Shala, Drejtor i Klinikës së Neurologjisë, njëherësh Sekretar i Shoqatës së Neurologëve të Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se për trajtimin e kësaj sëmundje nevojitet buxhet shtesë.
“Çështja tjetër sfiduese është se ne për këtë vit nuk kemi të ndarë buxhet edhe pse ekziston stafi i kualifikuar , mirëpo pengesat janë të natyrës thjeshtë politike. Politika duhet të mendojë për këtë çështje, e para duhet të mendojnë për njerëzit e vet".
"Në aspektin gjeografik dhe të infrastrukturës, Kosova i takon një grupi ku trajtimi mund të aplikohet, pasi që çdo qendër regjionale larg Prishtinës është më së largu një orë e gjysmë, andaj koha ku mund të intervenohet është tre orë dhe çdo qendër mund ta mbërrij këtë hapësirë kohore", ka theksuar Shala.
Ndërkaq drejtori i departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, ka bërë të ditur se klinika përkatëse merret me trajtimin e patologjive të kësaj fushe, por dihet se disa sëmundje që lidhen me sistemin kardiovaskular dhe atë nervor, paraqesin probleme jo vetëm në shëndetësinë kosovare, por edhe për shtetet e zhvilluara.
“Ajo çka është me rëndësi është se profesionistët shëndetësor përkrahen në zhvillimin e protokolleve mjekësore, që mundësojnë që patologjitë e kësaj natyre ashtu siç trajtohen në vendet evropiane të trajtohen edhe tek ne”.
“Natyrisht shëndetësia kosovare është në një teren më specifik sa i përket disa çështjeve, por në kuadër të strategjive sektoriale shëndetësore në kuadër të strategjive për avancimin e shërbimeve, punohet në të gjitha drejtimet në mënyrë që ato shërbime shëndetësore për fusha përkatëse që ofrohen në shtetet që e kanë të zhvilluar shëndetësinë, gradualisht përsosen edhe në vendin tonë”, ka shtuar Hoti.
Ndryshe Shoqata e Neurologëve të Kosovës dhe Klinika e Neurologjisë e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, shprehë nevojën e vetëdijesimit të popullatës por edhe të personelit mjekësor për masat parandaluese të kësaj sëmundjeje dhe njëkohësisht kërkon nga autoritetet shtetërore rritjen e mbështetjes për profesionistët, në luftë kundër kësaj sëmundjeje.
Nexhmedin Shala ka theksuar se edhe Kosova i ka dhënë rëndësi kësaj sëmundjeje, me anë të aktiviteteve të ndryshme.
“Në vendet e zhvilluara të botës, kjo sëmundje ka filluar të zhvendoset në vendin e katërt të vdekshmërisë për shkak të procedurave moderne diagnostikuese dhe trajtuese që i aplikojnë vendet e zhvilluara.Kosova i ka dhënë rëndësi kësaj sëmundjeje, duke e shënuar edhe ditën botërore me aktivitete të ndryshme, për vetëdijesimin e popullatës lidhur me pikën në tru.
"Kjo për shkak të problemeve që len pas vetes kjo sëmundje dhe invaliditetin që e bartin këta pacientë, por edhe për shkak të peshës dhe rëndesës që familjet dhe shteti përballen me riaftësimin e personave të prekur me këtë sëmundje”, ka shtuar Shala.
Sidoqoftë, në Kosovë vdekshmëria nga kjo sëmundje, është në vendin e tretë, krahasuar me vendet e zhvilluara që është zhvendosur në vendin e katërt për nga vdekshmëria.