Ndërlidhjet

Distanca nga Ebola ofron ndjenjë të sigurisë


Fabrika ku prodhohen veshjet për t'u mbrojtur nga virusi Ebola...
Fabrika ku prodhohen veshjet për t'u mbrojtur nga virusi Ebola...

“Nuk mendoj se njerëz të infektuar do të vijnë në vendin tonë. Nuk mendoj se kemi shumë vizitorë nga Afrika”.

Kështu thotë një qytetar në Jerevan të Armenisë. Por, kjo ndjenjë është e përhapur në gjithë Euroazinë, pasi njerëzit mendojnë se kërcënimi nga Ebola është shumë larg dhe disi i mbyllur në Afrikë.

Suad Hoxhiq, qytetar i Sarajevës, thotë se është i alarmuar me faktin se sa lehtë përhapet sëmundja, por ai po ashtu mendon se është larg rrezikut.

“Thonë se transmetohet përmes kontaktit, edhe përmes pështymës. Kjo është e tëra çfarë di. Nuk mendoj se paraqet rrezik për mua dhe njerëzit përreth, por prapëseprapë duhet të jemi të kujdesshëm”, thotë Hoxhiq.

Por, nëse njerëzit mendojnë se distanca e vendit të tyre nga epiqendra e sëmundjes në Afrikë është e mjaftueshme për të mbajtur Ebolën larg, kjo mund të jetë një ndjenjë e rreme e sigurisë.

Se çfarë potenciali ka Ebola për t’u përhapur globalisht, është vënë në pah në një studim të botuar në revistën ndërkombëtare mjekësore “Lancet”.

Studimi ka parashikuar se çdo muaj, mesatarisht tre pasagjerë ajrorë do të bartin Ebolën jashtë vendeve të goditura më së keqi: Guinesë, Siera Leones dhe Liberisë, nëse epidemia atje zgjerohet.

Çdo person i sëmurë, i cili kalon përmes qendrave të mëdha të tranzitit në Evropë, do të përbëjë rrezik për kalimin e infeksionit te dikush tjetër, që udhëton në destinacione të tjera në botë.

Ky rrezik ka nxitur shumë vende në Euroazi të kontrollojnë udhëtarët që arrijnë nëse kanë temperaturë. Temperatura është njëri nga simptomat e hershme të Ebolës.

Por, edhe pse e bëjnë një gjë të tillë, nuk është e sigurt se të gjitha vendet i kanë mirë të përgatitura sistemet shëndetësore për trajtimin e rasteve eventuale me Ebola.

Kazakistani është një shembull. Ministria e Shëndetësisë e këtij vendi ka thënë se punëtorët shëndetësorë përdorin skanimet termike për të kontrolluar të gjithë pasagjerët që vijnë me fluturime ndërkombëtare.

Por, të pyetur nga shërbimi kazak i Radios Evropa e Lirë se si do të trajtohej sëmundja nëse ajo përhapet në Kazakistan, punëtorët shëndetësorë nuk kanë dhënë hollësi. Ata vetëm kanë thënë se vendi ka mjaft objekte dhe shtretër për të izoluar pacientët, si dhe kostume të veçanta biologjike për të mbrojtur profesionistët shëndetësorë.

Ngjashëm janë deklaruar edhe zyrtarët në Bjellorusi. Zëvendësministri i Shëndetësisë, Ihar Hayewski, u ka thënë gazetarëve në Minsk se sistemi shëndetësor i vendit është i gatshëm të japë “përgjigje të duhur” nëse virusi përhapet.

Organizata Botërore e Shëndetësisë u ka bërë thirrje të gjitha vendeve jashtë epiqendrës që të kenë aftësi për të menaxhuar rastet e importuara.

Por, agjencia e OKB-së nuk ka bërë ndonjë rekomandim për numrin e shtretërve që duhen rezervuar, apo për numrin e kostumeve mbrojtëse që duhet t’i ketë secili vend.

Zyrtarët shëndetësorë thonë se bota, si tërësi, ka mësuar urgjencën e të qenët e përgatitur për sëmundjet infektive, në saje të shpërthimit të virusit SARS më 2003, të gripit të shpendëve H5N1 më 2005 dhe të gripit të derrave H1N1 më 2009.

Por, ashtu siç tregon edhe rasti i HIV/AIDS-it, çdo virus i ri që përhapet në botë pa u kontrolluar nga autoritetet mjekësore, mund të bëjë kërdi.(v.tela)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG