Ndërlidhjet

Vetëvendosje: Nuk bisedojmë me PDK-në


Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti gjatë fjalimit në një seancë të Kuvendit të Kosovës
Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti gjatë fjalimit në një seancë të Kuvendit të Kosovës

Subjekti politik Vetëvendosje, që është pjesë e koalicionit paszgjedhor me partitë, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, thotë se nuk do t’i përgjigjet ftesës së presidentet së Kosovës, Atifete Jahjaga, për t'u takuar së bashku me të gjithë liderët politikë.

Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Erzen Vraniqi, tha për Radion Evropa e Lirë, se udhëheqësit e Vetëvendosjes, nuk do të ulen në një tavolinë me liderin e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi.

“Ne nuk e shohim PDK-në si zgjidhje të problemit apo bisedën me të, por e shohim si vet problemin. Është qeverisja e PDK-së, që e ka katandisur Kosovën në këtë gjendje edhe ky ka qenë qëllimi pse blloku është bërë bashkë dhe pastaj edhe Lëvizja Vetëvendosje e ka nënshkruar marrëveshjen e 10 shtatorit me ta. Pra, ne jemi shumica parlamentare, kemi 63 vota në Kuvend dhe duhet të na jepet e drejta për formimin e institucioneve në Kuvendin e Kosovës, e jo në takime të liderëve”, tha Vraniqi

Gjatë kësaj jave, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka theksuar domosdoshmërinë e një takimi të përbashkët të liderëve politikë, në zyrën e presidentes.

“Nisur nga të gjitha këto kërkesa, besoj se është e domosdoshme që liderët e partive politike parlamentare të pajtohen që të mblidhen në një takim të përbashkët në Zyrën e Presidentes”, është thënë në një komunikatë për media nga presidenca, në rastin kur presidentja i është përgjigjur kërkesës së subjekteve politike të bllokut të përbërë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, ku kanë kërkuar që presidentja të kërkoj nga Gjykata Kushtetuese sqarime shtesë lidhur me pikën 127 të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese rreth postit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Ndër të tjera, në komunikatë është thënë se qëllimi i takimit është gjetja e zgjidhjes përbrenda këtij kuadri të përcaktuar nga vendimet e Gjykatës Kushtetutës dhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Presidentja ka shprehur gatishmërinë që të vazhdoj lehtësimin e procesit përmes të cilit liderët e partive politike parlamentare do të gjejnë zgjidhje për situatën e krijuar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG