Ndërlidhjet

Kreditë e këqija nga ngërçi politik


Ilustrim
Ilustrim

Kompanitë, të cilat kanë marrë kredi për të zhvilluar biznesin e tyre, mund të mos arrijnë të shlyejnë borxhin, si pasojë e pezullimit të shumë aktiviteteve ekonomike në Kosovë. Deri te pezullimi ka ardhur për shkak të vonesës së krijimit të institucioneve të reja, të dala nga zgjedhjet e 8 qershorit.

Përfaqësues të bizneseve kanë alarmuar tanimë se shumë biznese, për shkak të mungesës së aktivitetit ekonomik, nuk janë në gjendje të mirë afariste.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se me rënien e aktiviteteve afariste të bizneseve kosovare, do të ketë rënie të qarkullimit të mjeteve.

Ai thotë se shumë biznese, me të cilat Oda Ekonomike Amerikane është në kontakt të përditshëm, kanë konfirmuar se kanë pezulluar aktivitetet e tyre investuese.

“E gjithë situata që po rrjedh nga ngërçi politik natyrisht se ka ndikuar edhe te bizneset, ka ndikuar te kërkesat e tyre për financim nga bankat komerciale. Sa i përket rritjes së kredive joperformuese, natyrisht që secili vështirësim i rrjedhës së parasë së gatshme te bizneset apo secili zvogëlim i profitabilitetit si pasojë e mungesës së investimeve kapitale, do të mund të ndikojë në rritjen e normës së kredive joperformuese”, thotë Zeka.

Niveli i kredive joperformuese në Kosovë, sipas të dhënave të Bankës Qendrore, mbetet ende më i ulëti në rajon. Kreditë joperformuese në muajin gusht të këtij viti kanë qenë 151.5 milionë euro, që, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kanë shënuar rënie.

Arben Mustafa, drejtor i Stabilitetit Financiar dhe Analizave Ekonomike në Bankën Qendrore të Kosovës, tregon për Radion Evropa e Lirë se sektori bankar në Kosovë aktualisht është mirë i kapitalizuar dhe se niveli dhe cilësia e lartë e kapitalit bëjnë që sektori bankar i Kosovës të ketë ekspozim mjaft të ulët ndaj rrezikut kreditor.

“Sektori bankar vazhdimisht ka qenë i kujdesshëm në aprovimin e kredive, duke i mbështetur me provizione për humbjen e kredive joperformuese. Si rezultat i kësaj nuk presim ndonjë rrezik sa i përket humbjeve në sektorin bankar. Performanca pozitive e sektorit bankar gjatë kësaj periudhe, me një rritje të theksuar të profitit, krijon një komoditet më të madh për sektorin bankar, që të ndajë rezerva për të mbuluar humbjet potenciale nga kreditë”, shpjegon Mustafa.

Megjithatë, sipas tij, situata e bizneseve në Kosovë mund të përkeqësohet nëse nuk do të arrihet të miratohet me kohë buxheti për vitin 2015.

“Buxheti, i cili ka qenë i planifikuar për vitin 2014, konsiderojmë se vazhdon të ekzekutohet dhe nuk presim ndonjë ndikim të madh në performancën e bizneseve gjatë kësaj periudhe. Problemet do të ishin më serioze nëse do të kishim vonesë të aprovimit të buxhetit për vitin e ardhshëm, ku një pjesë e bizneseve që kryejnë aktivitetin e tyre me projekte që financohen nga qeveria, do të mund të kenë rënie të aktivitetit”, thotë Mustafa.

Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, nga 1.8 miliard euro kredi sa kanë qytetarët në bankat komerciale, 67 për qind janë kredi për ndërmarrje. Ato pasohen nga kreditë për ekonomitë familjare, me 30.8 për qind.

Bankat komerciale në Kosovë vazhdimisht janë kritikuar nga përfaqësues të biznesit dhe ekspertë të ekonomisë për norma të larta të interesit.

Kamatat për kredi për ndërmarrje sillen mbi 10.6 për qind, kurse për ekonomitë familjare 10.4 për qind.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG