Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ua ka bërë me dije “të gjithë liderëve të partive politike parlamentare, gjatë takimeve të kaluara në kuadër të procesit të lehtësimit të diskutimeve, gjendjen në të cilën ndodhet vendi aktualisht dhe rrezikun nga kriza jo vetëm institucionale dhe politike, por mbi të gjitha buxhetore dhe financiare”.
Në një përgjigje zyrtare dërguar radios Evropa e Lirë, shefi i stafit në kabinetin e presidentes, Arbër Vllahiu, ka thënë gjithashtu se “presidentja ka shfaqur shqetësimin e thellë, që për shkak të paaftësisë për ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme në vend, po lëkundet partneriteti me bashkësinë ndërkombëtare, në veçanti me partnerët strategjik, posacërisht në fushën e sigurisë, ku Kosova ka treguar shembull në ruajtjen jo vetëm të sigurisë së saj kombëtare, por edhe si një partner i fuqishëm në luftën globale kundër terrorizmit”.
“Anashkalimi i Kosovës nga agjenda e partnerëve ndërkombëtarë, për shkak të bllokadës për të ndërtuar institucionet, është shqetësues dhe e vë Kosovën në një gjendje të rëndë që pengon fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të saj”.
Zoti Vllahiu tha se presidentja Jahjaga pret në ditët në vijim, “që liderët e partive politike parlamentare të reflektojnë mbi gjendjen e krijuar dhe të vijnë me propozime shumë konkrete për daljen nga situata e krijuar”.
Krijimi i institucioneve të reja ka ngecur te posti i kryetarit të Kuvendit. Partia Demokratike e Kosovës, si fituese e zgjedhjeve të përgjithshme më 8 qershor, nuk po arrin të sigurojë shumicën në Kuvend për ta marrë këtë post.
Koalicioni pas-zgjedhor ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën, me mbështetjen edhe të Lëvizjes Vetëvendosje, pavarësisht që ka krijuar një shumicë parlamentare, nuk po gjen hapësirë kushtetuese për ta marrë nën drejtim udhëheqjen e Kuvendit.