Ndërlidhjet

Presidentja s'mund t'i shpallë zgjedhjet pa konstituimin e Kuvendit


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Shpallja e zgjedhjeve të reja në Kosovë, si opsioni i fundit për dalje nga kriza e formimit të institucioneve, nuk do të mund të bëhet pa konstituimin e Kuvendit të Kosovës, thonë analistët politikë.

Për shpalljen e zgjedhjeve, besohet se do të jetë i nevojshëm që të arrihet fillimisht një konsensus politik, përmes së cilit do të mundësohej konstituimi i Kuvendit me zgjedhjen e një kryetari konsensual dhe më pas të vazhdojnë procedurat e shpërndarjes së Kuvendit.

Analisti i Institutit për Politika Zhvillimore - KIPRED, Albert Krasniqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se opsioni i zgjedhjeve mbetet në lojë si mundësia e fundit.

Sipas tij, ende nuk janë shterur të gjitha mundësitë e tejkalimit të krizës. Posti i kryetarit të Kuvendit, vijon Krasniqi, nuk parasheh që të çojë vendin në zgjedhje, por nëse situata mbetet e bllokuar, zgjedhjet mund të shpallen përmes një procedure tjetër që kërkon fillimisht konstituimin, e më pas shpërndarjen e Kuvendit.

"Nëse një opsion i tillë do të shihet si i domosdoshëm nga partitë politike, atëherë kjo nuk do të mund të realizohet pa u konstituuar Kuvendi, për shkak se nuk mund të shpërndahet një Kuvend, i cili ende nuk është konstituuar. Kështu që për t'u bërë shpërndarja e Kuvendit, duhet që formalisht të votohet një kryetar i Kuvendit dhe menjëherë në atë seancë, të bëhet votimi me dy të tretat e votave të deputetëve që të shpërndahet Kuvendi dhe më pastaj presidentja, me anë të një dekreti, t'i shpallë zgjedhjet e parakohshme", thekson Krasniqi.

Zgjedhjet e reja janë përmendur si një prej opsioneve që nga thellimi i krizës rreth zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, post ky i cili po e mban peng konstituimin e Kuvendit.

Pa konstituimin e Kuvendit, nuk po mund të formohet as qeveria e re. Së fundit, edhe presidentja Atifete Jahjaga u kishte bërë me dije liderëve të partive politike se nëse zgjidhja nuk arrihet, atëherë si opsion i fundit mbetet shpallja e zgjedhjeve.

Por, te ky opsion, analisti Albert Krasniqi thotë se presidentja megjithatë nuk do të mund të shpallë zgjedhje, pa u bërë disa hapa të domosdoshëm në Kuvend.

"Presidentja nuk ka kompetencë që në mënyrë të njëanshme t'i shpallë zgjedhjet, pasi që është Kuvendi si trup me dy të tretat e deputetëve, që të shpërndahet Kuvendi. Do të thotë se Presidentja nuk mundet vetë t'i shpallë zgjedhjet pa u votuar fillimisht shpërndarja në Kuvend, kurse shpërndarja e Kuvendit nuk mund të bëhet pa u zgjedhur fillimisht kryetari i Kuvendit", deklaron Krasniqi.

Për opsionin e zgjedhjeve, Partia Demokratike e Kosovës është shprehur deri më tani e hapur. Kjo parti politike, i ka fituar zgjedhjet e fundit, por nuk ka arritur t'i formojë institucionet pasi që blloku i partive tjera të shumicës ka refuzuar bashkëpunimin me të.

Nga blloku i partive të koalicionit pas zgjedhor, ku bëjnë pjesë LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje, opsioni i zgjedhjeve nuk shihet aspak si zgjidhje e mirë.

Këtë e ka konstatuar edhe nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Teuta Sahatçia pas takimit të fundit me presidenten. Ajo kishte insistuar që zgjedhjet të mos shihen si alternativë përderisa, sipas saj, ka një shumicë në Parlament.

"Zgjedhjet mund të jenë opsion në krizë. Ne nuk jemi në krizë dhe mendoj se Kosova ka ende hapësirë dhe ka një shumicë në Parlament dhe se zgjedhjet hipotetike, të cilat dikush po i përmend, nuk besoj që mund të sjellin ndonjë ndryshim. Është humbje e kohës, është humbje e besimit të qytetarëve dhe votuesve dhe kredibilitetit të Kosovës para ndërkombëtarëve. Prandaj, mendoj se zgjedhjet nuk janë opsion tash", ka theksuar Sahatçia.

Krijimi i institucioneve të reja ka ngecur te posti i kryetarit të Kuvendit. Partia Demokratike e Kosovës, si fituese e zgjedhjeve, nuk po arrin të sigurojë shumicën në Kuvend për të marrë këtë post, përderisa blloku LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje, pavarësisht që ka krijuar një shumicë parlamentare, nuk po gjen hapësirë kushtetuese për të marrë nën drejtim kreun e Kuvendit.

Marrë parasysh këto pozicione, analistët parashohin se vetëm një marrëveshje mes këtyre dy blloqeve mund të zgjidhë krizën e krijuar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG