Ndërlidhjet

Katër raste të reja me HIV/AIDS


Ilustrim
Ilustrim

Gjatë vitit 2014 në Kosovë janë paraqitur katër raste të reja të personave të infektuar me virusin HIV/AIDS, thonë zyrtarë të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Që nga viti 1986, kur është paraqitur rasti i parë, e deri me sot, gjithsej janë shënuar 94 raste të infektuar me këtë virus, ku 40 prej tyre kanë vdekur.

Ndërkaq, aktualisht në Klinikës Infektivet në Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, janë duke u trajtuar me terapi antiretrovirale dhe janë nën mbikëqyrjen e mjekeve 14 të infektuar.

Luljeta Gashi, epidemiologe nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Kosova njihet si vend me rrezikshmëri të ulët të infeksionit me HIV, por që sipas saj, në vend çdo vit po shënohen raste të reja të infektuar me HIV/AIDS.

"Për shkak të prevalencës së ulët të tanishme me HIV, në Kosovë ekziston një tendencë që të minimizohet dhe të nënçmohet ky problem. Ekziston rreziku i nënçmimit të rolit të aktiviteteve parandaluese e që janë shumë të rëndësishme në këtë fushë. Ne kemi mungesë të fondeve që e vështirëson vazhdimësinë e zbatimit të aktiviteteve ekzistuese dhe mbikëqyrjes së kontrollit të epidemisë".

"HIV/AIDS sot konsiderohet rreziku më i madh i shëndetit në botë i shekullit të ri. AIDS mund të godet edhe sistemet ekonomike sociale, duke shtyrë grupet e stigmatizuara në margjina të shoqërisë, dhe duke lënë pas vete gjendje të mjerueshme", bën të ditur Gashi.

Izet Sadiku, infektolog, thotë se në Kosovë çdo vit rritet numri i të infektuarve me virusin HIV, për tre deri në katër persona.

Por, megjithëkëtë, sipas zotit Sadiku, Kosova vazhdon të jetë në grupin e vendeve me prevalencë të ulët të infeksionit.

"Situata epidemiologjike në Kosovë është në prevalencë të ulët të rasteve me HIV/AIDS. Këtë vit kemi katër raste që përafërsisht numri i tillë është që çdo vit, lajmërohen 3 deri në 4 raste të reja me HIV infeksion, që Kosovën e fut në grupin e vendeve me prevalencë të ulët".

"Edhe pse, Kosova ka rrezikshmëri për këtë virus, duke e marrë parasysh që këtu është një numër i madh i lëvizjes së madhe të popullsisë, si dhe rritja e prostitucionit, e po ashtu edhe atyre që konsumojnë drogat intravenoze. Në shumicën e vendeve, në shtëpi publike në Kosovë, punojnë njerëz që vijnë nga vende të ndryshme, por megjithëkëtë Kosova po vazhdon të hyjë në grupin e shteteve më prevalencë të ulët të rasteve me HIV/AIDS", thotë Sadiku.

Epidemiologia Luljeta Gashi shpjegon se cilat mosha janë më të rrezikuara nga ky infeksion.

"68 për qind e të gjitha rasteve i takojnë gjinisë mashkullore dhe 32 për qind janë femra, ndërsa mosha më e atakuar është 25 deri 34, në 36 për qind. Ndërsa, mosha 35 deri 44 janë 31 për qind. Kemi raste edhe prej moshës 0 deri në 14 vjeç janë 3 për qind të numrit të gjithëmbarshëm”, shton Gashi.

Zoti Sadiku gjithashtu thotë se tashmë janë duke përgatitur një strategji pesëvjeçare për vetëdijesimin e popullatës lidhur me rrezikshmërinë e virusit HIV/AIDS.

"Ne kemi vazhduar këshillimin dhe testimin vullnetar falas, dhe për çdo vit lajmërohen deri në 300 raste në klinikën infektive. Jemi duke e përgatitur strategjinë e re pesëvjeçare për HIV/AIDS, në mënyrë që numri i të infektuarve të vazhdojë të jetë i vogël, ashtu siç ka qenë deri më tash prej vitit 1986 kur edhe është paraqitur rasti i parë", thotë Sadiku.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG