Ndërlidhjet

Nishani: Kosova - faktor i rëndësishëm i stabilitetit


Bujar Nishani
Bujar Nishani

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka vlerësuar se Kosova është “shndërruar në faktor të rëndësishëm të stabilitetit dhe paqes në rajon” dhe Shqipëria plotësisht e mbështet “zhvillimin e tërësishëm të Kosovës, stabilitetin e saj dhe integritetin territorial në kufijtë e saj aktualë”.

Këto komente zoti Nishani i ka bërë mbrëmë vonë gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Shteti më i ri në rajon, për më pak se 6 vjet, si shtet i pavarur, Kosova ia doli nëpërmjet agjendës transformuese zhvillimore, të ketë njohje të gjerë ndërkombëtare dhe me sukses të integrohet në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare, siç janë Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Ndërkombëtare për Zhvillim dhe Rikonstruktim, Banka Evropiane për Rikonstruktim dhe Zhvillim, Komisioni i Venedikut, Procesi i Bashkëpunimit në Evropën Juglindore, e të tjera”, tha Bujar Nishani.

Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, presidenti Nishani vlerësoi se “progresi i Kosovës, atmosfera e re në rajon dhe nevoja që rajoni të lëvizë më tepër kah bashkëpunimi dhe prosperiteti, ka çuar në rrugën e suksesshme të bisedimeve të sponsorizuara nga Bashkimi Evropian, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete partnere të barabarta, në gjetjen e zgjidhjeve konkrete për çështjet e rëndësishme për shtetasit e tyre”.

Në këtë kuadër, ai ka veçuar:

“Koha ka treguar se angazhimi në dialog ishte vendim i mençur. Dialogu ka prodhuar rezultate konkrete, duke i sjellë të dy vendet më afër njëra-tjetrës dhe ka lehtësuar dhe shpejtuar rrugën e integrimit evropian për të dy shtetet”.

Ai, po ashtu, ka bërë thirrje për implementim të plotë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

Një pjesë të fjalimit të tij, zoti Nishani ia kushtoi edhe njohjeve të deritashme të pavarësisë së Kosovës, duke përmendur se tashmë ajo është njohur nga 108 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara.

“Njohjet, padyshim, ishin faktor i rëndësishëm për progresin e Kosovës. Për këtë arsye u bëjmë thirrje shteteve që ende nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë këtë. Në këtë mënyrë do të kontribuonin për paqen dhe stabilitetin në rajon”, theksoi Bujar Nishani.

Presidenti i Shqipërisë tha se vendi i tij gjatë dy dekadave të fundit është transformuar nga një shtet totalitar në një demokraci funksionale, ndërsa progresi më evident, sipas tij, është bërë në fushën e të drejtave të njeriut.

Rrjedhimisht, zoti Nishani theksoi se kandidimi për anëtarësim në Këshillin për të Drejta të Njeriut të Kombeve të Bashkuara, për periudhën 2015-2017, është zhvillim logjik i rrugës që Shqipëria e ka marrë për ndërtimin e shoqërisë së bazuar në drejtësi dhe anëtarësimi do të shërbente si shtytje për demokratizim të mëtejshëm.

Prej prioriteteve të Tiranës, zoti Nishani e ka vënë në pozitë të lartë luftimin e terrorizmit, për të cilin tha se mund të luftohet vetëm me aksion kolektiv dhe përgjigje të fuqishme.

Duke i dënuar të gjitha aktet terroriste të kryera në Irak dhe Siri, ai tha se Shqipëria i është bashkuar koalicionit global për t’i shkaktuar disfatë grupit militant ISIS.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG