Ndërlidhjet

Shqipëria gati për vizitën e Papa Françeskut


Shqipëria ka bërë përgatitjet e fundit për pritjen e Papa Françeskut në Tiranë ditën e diel.

Përgjatë bulevardit kryesor ku do të parakalojë Papa Francesku, janë vendosur fotografitë e klerikëve të vrarë gjatë diktaturës komuniste. Ata do të jenë të parët që do të “takojnë” Papën në hyrje të bulevardit qendror të Tiranës.

Edhe ambienti përpara Universitetit të Tiranës, ku do të kryhet Mesha e Shenjtë, rreth orës 11, si dhe ambienti ku do të ulen të ftuarit, tashmë është gati.

Ndërkohë autoritetet e rendit kanë deklaruar se kanë ndërmarrë masa tepër të rrepta sigurie.

Qarkullimi për automjetet pranë Presidencës dhe sheshit “Nënë Tereza” ku do të kryhet mesha e shenjtë, është bllokuar që ditën e premte, ndërkohë që të dielën pritet ndalimi i qarkullimit në disa rrugë të Tiranës. Policia, Garda e Republikës dhe punonjës të SHISH-it (Shërbimit Informativ Shtetëror), janë në gjendje gatishmërie.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një interviste televizive, kishte deklaruar se për vizitën e Papa Françeskut në Shqipëri, Shërbimi Inteligjent i Vatikanit, është konsultuar me shërbimet inteligjente ndërkombëtare.

Edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë, Artan Didi, ka deklaruar se janë marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e vizitës së Papa Françeskut.

Papa Françesku do të ketë edhe një drekë me ipeshkvijtë shqiptarë dhe më pas do të takohet edhe me krerët e besimeve të tjera në Shqipëri.

Në orën 17:00 do të kremtohet lutja mbrëmësore në Katedrale, e pastaj Papa Françesk do të vizitojë fëmijët e qendrës “Betania” në Fushë-Krujë, pak para largimit nga Shqipëria.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG