Ndërlidhjet

Arti i riciklimit përmes modës


Në Kosovë mund të riciklohet vetëm letra. Të gjitha mbeturinat tjera përfundojnë në deponi, e edhe në deponi ilegale. Kështu thonë zyrtarë në Ministrinë për Mbrojtjen e Ambientit.

Mimoza Hyseni, zyrtare për monitorimin e mbeturinave në këtë Ministri, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se problemi kyç mbetet mosndarja e mbeturinave për t'u ricikluar më vonë.

"Në Kosovë vetëm letra riciklohet. 95 për qind përfundojnë në deponi apo deponi ilegale. Problemi kryesor është se nuk bëhet seleksionimi i mbeturinave nga qytetarët, por komplet përfundojnë në deponi dhe kjo paraqet problemin kryesor. Qofshin ato mbeturina elektronike, elektrike dhe të gjitha tjerat pa u ndarë përfundojnë në deponi", tha Hyseni.

Por themeluesi i organizatës ‘’Green Art Center Prishtina’’, Lorik Muçaj, gjatë një aktiviteti në sheshin e kryeqytetit për vetëdijesimin e qytetarëve për ndarjen e mbeturinave dhe riciklimin e tyre, ka bërë të ditur se edhe pse parashihet me ligj të jetë obligative ndarja e mbeturinave në Kosovë, një gjë e tillë nuk është duke ndodhur.

"Sa i përket temës së riciklimit, ne si organizatë, njëra ndër objektivat kryesore e kemi vetëdijesimin e qytetarëve për ndarjen e mbeturinave. Në Kosovë ka kompani serioze që e mbledhin mbeturinën e ndarë si plastikën, letrën aluminin etj dhe e eksportojnë në vende të zhvilluara për riciklim. Që të mos përfundojë në deponi".

"Institucionet nuk kanë arritur ende fatkeqësisht ta instalojnë një mekanizëm serioz edhe pse ligji e parasheh ndarjen e mbeturinave në shtëpi dhe obligimet e qytetarëve që t'i ndajnë mbeturinat që riciklohen nga ato që nuk riciklohen", u shpreh Muçaj.

Derisa Erlina Beu, drejtoreshë e organizatës "Green Art Center", flet për artin e riciklimit.

"Arti i riciklimit është një art në vete i cili i shërben komunitetit për arsye kryesore mbrojtjen e ambientit dhe për arsye të tjera ku mund të përmendim edhe përfitimin ekonomik që mund të sjellin në të njëjtën kohë".

"Ky është një aktivitet i cili bëhet për nder të bashkëpunimit 15 vjeçar të shtetit gjerman me atë të Kosovës. në sektorin e ndarjes së mbeturinave kemi përzgjedhur aktivitete të ndryshme, mu punëtori dhe manekine me materiale të ripërdorura", bëri të ditur Beu.

Ndryshe, zoti Muçaj flet edhe për projektin e ndarjes së mbeturinave që tashmë është duke ndodhur në disa shkolla në kryeqytet.

"Aktualisht pas shumë tentativave është implementuar në 10 shkolla të Prishtinës, ndarja e mbeturinave, në mënyrë që të riciklohen ato, qoftë në Kosovë apo në kompanitë jashtë vendit , dhe mjetet që paguhet kjo mbeturinë ju shkojnë po atyre shkollave. Po presim që ky rrjet të zgjerohet", tha Muçaj.

XS
SM
MD
LG