Menjëherë pas ndërprerjes së seancës, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se pret që vazhdimi i seancës të ndodhë shumë shpejt.
Në të kundërtën, ajo ka paralajmëruar disa hapa të koalicionit pas zgjedhor, edhe pse nuk ka qartësuar se për çfarë hapash bëhet fjalë.
Koalicioni LDK-AAK-Nisma për Kosovën dhe Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas ndërprerjes së seancës konstituive duke e cilësuar atë si dështim të PDK-së për të zgjedhur Kryetarin dhe për të konstituuar Kuvendin në Legjislaturën e pestë.
"Koalicioni i shumicës parlamentare konstaton se ndërprerja e Seancës nga kryesuesja, deputetja Brovina, pa e respektuar të drejtën e deputetëve të koalicionit të shumicës për fjalë, ishte jokorrekte", thuhet në komunikatën e këtij koalicioni.
Aty thuhet po ashtu se "koalicioni i shumicës parlamentare konsideron se, duke u bazuar në pikën 127 të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të 26 gushtit 2014, e ka të drejtën, mundësinë dhe zgjidhjen për të konstituuar Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe pastaj për të vijuar me formimin e Qeverisë së re".
Pas dështimit të sërishëm të Kuvendit që të zgjedh kryetarin e ri, presidentja Atifete Jahjaga ka filluar realizimin e takimeve me liderët e partive parlamentare. Këto takime, është thënë se janë vetëm fillimi i serisë së konsultimeve për gjetjen e një zgjidhje për tejkalimin e krizës rreth formimit të institucioneve.
Paraprakisht, Zyra e Presidentes në disa raste kishte përsëritur se presidentja ka luajtur dhe do të luaj rolin e faktorit të unitetit dhe të garantuesit të funksionimit demokratik të institucioneve.
"Presidentja Jahjaga, në kuadër të kompetencave të saj kushtetuese do të garantojë unitetin e popullit në vend e në veçanti, në rast të rrezikimit të funksionimit të institucioneve dhe të proceseve nëpër të cilat po kalon vendi", ishte thënë në qëndrimet e kabinetit të saj.