Ndërlidhjet

Kosova e kërcënuar nga grupe e individë me qëllime separatiste - politike


Kosova po kërcënohet nga individ, grupe ose organizata kundërshtare për realizimin e qëllimeve separatiste apo politike, ka thënë Prokuroi Special, Blerim Isufaj.

Këto komente, ai i ka bërë gjatë një prezantimi në seminarin e organizuar nga Misioni i OSBE-së mbi “luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit”. Këto kërcënime, ka thënë Isufaj po ndodhin që nga shpallja e pavarësisë.

“Grupet terroriste janë të predispozuar të ushtrojnë dhunë, kërcënim por kanë edhe tendenca të ndryshme”, ka thënë Isufaj.

Kështu që sipas tij, luftimi i këtyre dukurive është i domosdoshëm. Por për një luftim sa më efikas të këtyre kërcënimeve, Prokurori isufaj ka kërkuar që të ketë një sinkronizim të gjithë mekanizmave që veprojnë brenda shtetit dhe në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtarë.

“Pas zgjedhjes së statusit final të shpalljes së pavarësisë, Kosova po kërcënohet nga individ, grupe ose organizata kundërshtare për realizimin e qëllimeve separatiste apo politike. Institucionet e Republikës së Kosovës duhet të ndërmarrin gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e të gjitha komuniteteve nga ndikimet e tyre”, ka thënë Isufaj.

“Parandalimi dhe luftimi i kësaj ideologjie, pozita strategjike e Kosovës, përveç që krijon mundësinë për të bërë vendin tonë si cak transit për aktivitete ilegale dhe trafiqe të ndryshme po ashtu kjo pozitë paraqet rrezik edhe për shpërndarjen e sindromit të terrorizmit veçanërisht ati në bazë fundamentalizmin religjioz”, ka thënë Isufaj.

Një kërcënim i përhershëm, mbetet edhe krimi i organizuar dhe korrupsioni, i cili po përcillet me rrezikun e depërtimit në hierarkinë e shtetit.

“Potenciali ekonomik që posedon krimi i organizuar është aq i madh sa që nëpërmjet korrupsionit mund të depërtohet edhe në nivelet më të larta të hierarkisë shtetërore me qëllim që të sigurohet pa dëgjueshmëria për veprimet e kryera”, ka vijuar Prokurori Isufaj.

Një analizë në këtë debat ka prezantuar edhe Ahmet Nuredini, drejtor i Drejtorisë për Inteligjencë dhe Analiza nga Policia e Kosovës.

Ky i fundit ka thënë se sfidat me të cilat po ballafaqohet vendi janë prioritet jo vetëm i Policisë së Kosovës, por edhe për institucionet e tjera të sigurisë.

“Republika e Kosovës aktualisht ballafaqohet me shumë sfida dhe një nga këto sfida është edhe lufta kundër krimit të organizuar kundër korrupsionit por edhe lufta kundër terrorizmit. Këto sfida nuk janë prioritet vetëm për Policinë e Kosovës, janë prioritet edhe për institucionet e tjera të sigurisë, janë prioritet edhe për Qeverinë e Republikës së Kosovës për arsye se rreziku nga krimi i organizuar dhe terrorizmi paraqet rrezik për sigurinë kombëtare”, ka deklaruar Nuredini.

Përderisa, Dushko Zavisiq, drejtor i Departamentit për Siguri dhe Rend Publik, nga Misioni i OSBE-së në Kosovë ka vlerësuar se Kosova ka strategji e plane konkrete për luftimin e dukurive negative e kriminale.

“Kosova ka strategji mjaftë të mira dhe të elaboruara të cilat janë miratuar para pak viteve e që mbulojnë fushën e luftimit të krimit të organizuar të terrorizmit ndaras në kategori të veçanta”, ka thënë Zavisiq.

Sipas tij, institucionet vendore kanë edhe plane të mira të veprimit për zbatimin e këtyre strategjive.

“Me kënaqësi mund të them se zbatimi është duke shkuar mjaftë mirë dhe kolegët mund të më përmirësojnë, por mendoj se 80 deri në 90 për qind të planeve veç se janë realizuar”, ka thënë ai.

Pjesëmarrësit në këtë seminar kanë shqyrtuar edhe legjislacionin aktual me pretendimet që të identifikojnë edhe mënyra për të përmirësuar tutje bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informatave gjatë hetimeve, ndjekjes penale të rasteve dhe gjykimeve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG