Ndërlidhjet

Maqedoni: Ligji për punë, diskriminues në baza gjinore


Ilustrim
Ilustrim

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut i ka quajtur diskriminuese ndryshimet në Ligjin për Marrëdhënie Pune, me të cilin tani meshkujve me deklaratë u krijohet mundësia të kërkojnë vazhdimin e marrëdhënies së punës në 67 vjet, ndërsa gratë në 65.

“Unë do të doja të përkujtoj se Gjykata Kushtetuese tashmë është deklaruar për këtë çështje dhe ka shfuqizuar dispozitat diskriminuese të kësaj natyre. Këto ndryshime u sollën pa u mbajtur as një debat, e pa u konsultuar me ekspertë”, vlerëson kryetarja e Komitetit të Helsinkit, Uranija Pirovska.

Ajo rikujton se nga 28 shtete anëtare të BE-së, në 27 vende , mosha e daljes në pension midis burrave dhe grave është e barabartë ose ekzistojnë akte nënligjore në bazë të së cilave garantohet barazia e plotë gjinore.

Nga ana tjetër, Shpresa Sinani, aktiviste për të drejtat e grave nga Tetova, konsideron se koncepti i barazisë gjinore, është treguesi kryesor social, me të cilin mund të “matet” niveli i emancipimit të shoqërisë sonë.

Sipas saj, lufta për barazi gjinore në Maqedoni zhvillohet në një terren ku në çdo hap vërehet mbivlerësimi i rolit të burrit si forcë kryesore, duke nënvleftësuar rolin dhe peshën e gruas, sipas së cilës analizat tregojnë se gratë në Maqedoni paguhen për rreth 18 për qind më pak se burrat për të njëjtën punë të realizuar.

“Po ky ligj nuk duhet pranuar, sepse u merret një pjesë e rëndësishme e kohës kur gratë janë më produktive për të kontribuar në shoqëri”, thekson Sinani duke nënvizuar se gratë pas të gjashtëdhjetave janë më të zbarkuara nga obligimet familjare, obligime këto që jo pak ndikojnë në ngritjen profesionale të grave.

Ndërkohë, Urania Pirovska konsideron se barazia gjinore në punë është një çështje e rëndësishme, që ka ndikim si në perceptimin individual rreth arritjeve profesionale dhe zhvillimit në karrierë, ashtu edhe në suksesin e organizatave. Por, kjo dispozitë kryesisht nuk respektohet, duke krijuar mosbesim në aftësinë e femrave.

“Zgjidhja ligjore për marrëdhënie pune edhe më shumë rrit hendekun e gëzimit të të drejtave midis burrit edhe gruas, nëse kemi parasysh edhe faktin se gratë janë të përfshira më pak në punë dhe kjo reflektohet në lartësinë e pensionit”, thekson Piriovska.

Maqedonia në masë të konsiderueshme ka harmonizuar ligjet, të cilat garantojnë mundësi të barabarta për të dy gjinitë, por sic thekson Shpresa Sinani, problemi qëndron pikërisht në bartësit e institucioneve, të cilët më shumë preferojnë t’i besojnë një burri pozitat udhëheqëse të sektorëve të caktuar, sesa një gruaje si pasojë e mentalitetit patriarkal.

“Me vetë faktin se në Parlament kemi 70 për qind të burrave, kjo lë të nënkuptohet se ligjet janë në duart e tyre. Ata që këtu fillojnë me diskriminimin e angazhimit, kështu që zëri femrës nuk dëgjohet aq sa duhet të dëgjohet”, thotë Sinani.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG