Ndërlidhjet

Vazhdon kriza politike në Parlamentin e Shqipërisë


Tirana
Tirana

Sezoni i ri politik në Shqipëri ka nisur me vendet bosh të opozitës në Parlament. Grupi parlamentar i opozitës vendosi të vazhdojë marrëdhënien e kushtëzuar me Parlamentin.

Ky vendim është në vazhdën e kërkesës së demokratëve për reagim ndaj dhunës së ushtruar nga dy deputetë socialistë ndaj deputetit demokrat Gent Strazimi.

“Opozita nuk mund të shkojë në një Parlament ku nuk dëgjohet, por kërcënohet fizikisht”, deklaroi kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë Lulzim Basha në mbledhjen e Grupit Parlamentar.

Ky vendim i demokratëve parapriu seancën e parë plenare të sesionit të ri, që u mbajt më 3 shtator. Ndonëse të vetëm në sallë, por me fuqinë që iu japin numrat e duhur për të votuar me shumicë të thjeshtë, deputetët e mazhorancës rrëzuan të pesë dekretet e presidentit të Republikës së Shqipërisë, të rikthyera për rishqyrtim në Parlament, në mesin e së cilave edhe Reformën territoriale, Ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Policinë e shtetit.

Por, ndërkohë që në Shqipëri pati një marrëdhënie të tensionuar si me presidentin Bujar Nishani dhe me opozitën, kryeministri Edi Rama mori mbështetjen gjermane e evropiane në Samitin e Berlinit.

Kancelarja Angela Merkel siguroi vendet e Ballkanit Perëndimor, se ky takim i nivelit të lartë synon të jetë një proces që do të vazhdojë për të paktën edhe katër vjet.

“Do të jetë një proces pune, ku ka shumë për të bërë. Bëhet fjalë për zgjidhjen e problemeve politike, ndërkohë që kemi diskutuar edhe për bashkëpunimin rajonal. Infrastruktura dhe transporti janë të rëndësishme që njerëzit të komunikojnë”, tha kancelarja Merkel.

Derisa politika ka nisur e acaruar e me bojkote këtë sezon, qytetarët e Shqipërisë u njohën me një vendim, që do të rëndojë buxhetet e tyre duke nisur që nga viti 2015.

Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri, bëri të ditur se do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike, duke nisur nga viti i ardhshëm. Ai tha se nga kjo rritje do të mbrohen familjet në nevojë.

Por, ky lajm nxiti reagime të ndryshme. Përfaqësues të biznesit deklaruan se kjo rritje do të pasohet me rritje të çmimeve edhe të produkteve të tjera.

Ndërkaq, pritet të nisë konkretisht Reforma në Drejtësi, një nga prioritetet e Qeverisë së Shqipërisë, në aspiratën e integrimit evropian.

Kjo reformë ka ngjallur debate të ashpra mes dy krahëve politikë, debate të cilat pritet të vazhdojnë kur Qeveria të nisë zbatimin e saj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG